Presidenti Sejdiu uroi Presidentin Bamir Topi

Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu e ka uruar Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, me rastin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Po japim në vijim urimin e dërguar Presidentit Topi:

Shkëlqesisë së Tij, z. Bamir Topi,
President i Republikës së Shqipërisë

I  nderuari President Topi,


Një vit më parë, unë ju uroja për ftesën që i ishte bërë Republikës së Shqipërisë për anëtarësim në NATO. Gjatë dymbëdhjetë muajve që lamë pas, u përmbyll me sukses të plotë procesi i ratifikimit të protokollove për anëtarësimin e Shqipërisë në aleancën më të fuqishme ushtarake që ka njohuir historia e njerëzimit. Sot, unë kam kënaqësinë e jashtëzakonshme që në emrin tim dhe në emër të popullit të Republikës së Kosovës, t’ju uroj juve dhe nëpërmjet jush gjithë popullit shqiptar anëtarësimin e Republikës së Shqipërisë në NATO.


Ky akt madhor dhe i shumëpritur e shndërron përfundimisht rajonin tonë në një faktor të rëndësishëm të paqes, të stabilitetit dhe të prosperitetit të përgjithshëm të kësaj pjese të Evropës Juglindore, popujt e së cilës tashmë janë përcaktuar fuqishëm për integrim në familjen e madhe të kombeve të lira e demokratike euroatlantike. 


Anëtarësimi i Republikës së Shqipërisë në NATO është një arritje e shkëlqyeshme e institucioneve dhe qyetetarëve të Shqipërisë, e cila do t’u shërbejë si shembull edhe vendeve të tjera të rajonit që synojnë të anëtarësohen në Aleancën Veriatlantike. Pa dyshim, edhe Republika e Kosovës do të përfitojë nga përvoja juaj dhe ne presim që duke punuar së bashku, sikundër deri më tani, ta arrijmë sa më shpejt që të jetë e mundur ditën e anëtarësimit të të gjithë rajonit në NATO dhe në strukturat e tjera euroatlantike. Atëherë, sigurisht, të lehtësuar do të mundë të themi: ja, liria e fëmijëve tanë dhe e gjithë brezave që do të vijnë, është e sigurt, është e paprekshme!

Ndaj, duke ju dëshiruar shëndet, fat dhe mbarësi, ju lus, i dashur President, që të pranoni urimet e mia më të sinqerta dhe ndjenjën e konsideratës sime të përhershme!


Me respekt,                  
Dr. Fatmir Sejdiu,
President i Republikës së Kosovës