Presidenti Sejdiu uroi kancelaren Angela Merkel

29.09.2009. - Presidenti i Republikës së Kosovës, dr.Fatmir Sejdiu i ka dërguar një telegram urimi zonjës Angela Merkel, me rastin e rizgjedhjes së saj Kancelare e Gjermanisë. Në vijim po e japim të plotë telegramin e urimit:

Shkëlqesisë së Saj Angela Merkel


Kryetare e Unionit Demokristian


Kancelare


Republika Federale e Gjermanisë


Berlin


E nderuara Kancelare,


Në emër të popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës, po Ju shkruaj për t’Jua uruar ngrohtësisht fitoren e Juaj në zgjedhjet nacionale dhe rizgjedhjen e Juaj Kancelare e Republikës Federale të Gjermanisë. 


Dua ta shfrytëzoj këtë rast që t’Jua shpreh, edhe njëherë, mirënjohjen tonë të thellë për angazhimin afatgjatë të Gjermanisë, i cili popullit të Kosovës i ka sjellë paqe dhe prosperitet. Gjersa ne vazhdojmë ta zhvillojmë më tej vendin tonë të ri dhe të pavarur, roli dhe mbështetja që Ju na e keni ofruar do të mbesin përherë tejet të vlefshme për ne. 


Republika e Kosovës është plotësisht e përkushtuar që ta ndërtojë një vend përparimtar, demokratik dhe shumetnik që kujdeset për mirëqenien e të gjithë qytetarëve të tij. Njashtu, Kosova është e vendosur që ta vazhdojë rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO, ndërsa unë mbes i bindur se Gjermania do të vazhdojë të jetë partneri ynë në përmbushjen e këtij misioni.


Duke Ju përgëzuar edhe njëherë, Ju dëshiroj shumë fat në angazhimet e juaja të mëtejme!
 
Sinqerisht,


Fatmir Sejdiu


President i Republikës së Kosovës