Presidenti Sejdiu uroi besimtarët me rastin e muajit të Ramazanit

Presidenti i Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu i ka përgëzuar besimtarët myslimanë me rastin e muajit të Ramazanit. Në këtë urim thuhet:

Qytetarë të dashur të Kosovës,


Besimtarë të nderuar,

Nesër fillon Ramazani, muaji më i rëndësishëm për besimtarët myslimanë të të gjithë botës. Më lejoni që me këtë rast, t’ju shpreh urimet e mia më të përzemërta, duke ju dëshiruar agjërim të lehtë, qetësi shpirtërore dhe begati në familjet tuaja. 

Në këtë muaj të sakrificës njerëzore dhe të vetëkontrollit sublim, uroj që paqja dhe mirëkuptimi midis nesh të forcohen, sepse vendi ynë i dashur, Kosova, sot më shumë se kurrë më parë, ka nevojë për urtësi e reflektim, për përmbajtje dhe dashuri.

Tani që realizimi i ëndrrës shekullore për shtetin tonë sovran po afron, ne duhet të jemi plotësisht të përgatitur për sfidat që na presin. Ky muaj i shenjtë le të na ndihmojë për ta kuptuar më mirë njëri-tjetrin, për të dëshmuar edhe një herë para botës kulturën dhe tolerancën tonë të mrekullueshme ndërfetare.

Me fat muaji i Ramazanit!

Zoti ju bekoftë juve dhe familjet tuaja!

Zot e bekoftë Kosovën!