Presidenti Sejdiu uroi Baroneshën Catherine Ashton

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu uroi Baroneshën Catherine Ashton, me rastin e emërimit në detyrën e Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri. Në urim thuhet:

Shkëlqesisë së Saj, Baroneshës Catherine Ashton
Përfaqësuese e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri

 
E nderuara Baronesha Ashton:
Në emrin tim personal dhe në emër të institucioneve dhe popullit të Republikës së Kosovës dua ta përgëzoj Shkëlqesinë Tuaj me rastin e emërimit tuaj si Përfaqësuese e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri.
Emërimi i Juaj i njëzëshëm në këtë post të rëndësishëm ka dëshmuar edhe njëherë zërin e përbashkët të Evropës dhe përkushtimin e saj për ta promovuar parimin themelor të saj: unitetin në diversitet.
Republika e Kosovës u ka dhënë prioritet përpjekjeve të saj drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian. Ne presim me padurim që të bashkëpunojmë me Shkëlqesinë e Juaj në realizimin e vizionit të popullit të Kosovës për ta zënë një vend të merituar në BE dhe për t’iu bashkuar anëtarëve të tjerë të cilët i ushqejnë vlerat e njëjta. Ne mbesim mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme që BE-ja ia ka ofruar Kosovës qe më shumë se një dekadë dhe presim me padurim që ta vazhdojmë këtë bashkëpunim të shkëlqyeshëm.
Luteni t’i pranoni, Shkëlqesia Juaj, përgëzimet e mia të përzemërta për emërimin e Juaj në këtë post të rëndësishëm si dhe garancitë e mia për respektin dhe konsideratën time më të thellë për Ju.
                                                          
Sinqerisht,       
Dr. Fatmir Sejdiu,
President i Republikës së Kosovës