Presidenti Sejdiu u takua të premten në Nju-Jork me Ban Ki-munin

Nju-Jork/Prishtinë, 20 qershor 2008. Presidenti i Republikës së Kosovës, Dr. Fatmir Sejdiu, pati sot (e premte) pasdite një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, z. Ban Ki-mun.

Në takimin gjysmëorësh, që u zhvillua në selinë e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, u këmbyen mendime për gjendjen në Kosovë dhe për perspektivën e zhvillimeve, sidomos sa i përket strukturimit të pranisë ndërkombëtare në vendin tonë. I pranishëm në takim ishte edhe Minisitri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, z. Skender Hyseni.

Presidenti Sejdiu vlerësoi edhe një herë punën e deritanishme të UNMIK-ut, ndërsa kërkoi ky mision të rikonfigurohet shpejt e që puna e tij të përfundojë si një histori e suksesshme e një misioni të OKB-së.

“Kosova ka shpallur pavarësinë dhe ka miratuar Kushtetutën e Republikës në përputhje të plotë me Planin Ahtisari”, theksoi Presidenti Sejdiu, duke kërkuar që OKB-ja, emisar e të cilës ishtë Ahtisari, të mos bëjë veprime që bien në kundërshtim me Planin e Ahtisarit.

Z. Ban Ki-mun çmoi rolin që ka luajtur udhëheqja e Kosovës në kohët e ndryshimeve thelbësore që kanë ndodhur në Kosovë, për të cilat ka folur gjerësisht në raportin e vet paraqitur para Këshillit të Sigurimit.

Presidenti Sejdiu dhe Ban Ki-mun morën pjesë në sesionin e sotëm të Këshillit të Sigurimit, që kishte temë diskutimi raportin më të ri të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së kushtuar Kosovës. Ky raport dhe iniciativa e Ban Ki-munit për rikonfigurim të UNMIK-ut dhe hapje të rrugës për shtrirje të plotë të misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë mori përkrahje të shumicës së vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit. 

Presidenti Fatmir Sejdiu dhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së janë takuar disa herë gjatë këtij një viti e gjysmë të mandatit të zyrtarit më të lartë të kësaj organizate.