Presidenti Sejdiu u takua me Kryeministrin e Turqisë, z. Taip Erdogan

“Pavarësia e Kosovës është zgjidhja më e mirë jo vetëm për qytetarët e saj, por për të gjithë rajonin”, tha Presidenti i Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu gjatë një takimi që pati sot në Ankara me Kryeministrin e Turqisë, z. Taip Erdogan.

Me këtë rast, Presidenti Sejdiu e falënderoi kryeminsitrin turk për ndihmën e gjithanshme që ka dhënë Turqia për Kosovën që nga koha e intervenimit të NATO-s më 1999 e deri më sot.

Pasi kërkoi mbështetjen e Turqisë për pavarësinë e Kosovës, konform propozimit të Presidentit Ahtisari, Presidenti Sejdiu e çmoi lart rolin e komunitetit turk në Kosovë, i cili është i integruar plotësisht në jetën institucionale dhe shoqërore, duke dhënë ndihmesën e vet në konsolidimin e demokracisë në vendin tonë.

Ndërsa, Kryeministri i Turqisë, z. Taip Erdogan, tha se vendi i tij e mban të palëkundur mbështetjen për Kosovën dhe do të angazhohet fuqishëm për përcaktimin sa më të shpejtë të statusit të Kosovës.

Në këtë takim u bisedua edhe për bashkëpunmin ekonomik në mes të dy vendeve dhe mundësitë e thellimit të mëtejmë të tij.