Presidenti Sejdiu u prit nga Presidenti i Gjermanisë, Horst Kohler, Presidenti i Kuvendit Federal, Norbert Lammert dhe ministri Westerwelle

Berlin, 6 maj 2010. – Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, në ditën e parë të vizitës zyrtare në Republikën Federale të Gjermanisë, ka zhvilluar takime me zyrtarët më të lartë të shtetit gjerman, Presidentin dr. Horst Kohler, Presidentin e Kuvendit të Republikës Federale, dr. Norbert Lammert, dhe ministrin e punëve të Jashtme, dr. Guido Westerwelle, ndërkohë që ka vizituar edhe Fondacionin Korber, ndërsa pasdite do të takohet edhe me Kancelaren Angela Merkel.

Pjesë e delegacionit janë edhe ministri i punëve të Jashtme, Skender Hyseni, Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, si dhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Lutfi Zharku.

Në vizitë, Presidenti Sejdiu shoqërohet nga Zonja e Parë, Nezafete Sejdiu, dhe bashkëpunëtorët.

Fillimisht, Presidenti Kohler i ka organizuar Presidentit Sejdiu një pritje me nderimet më të larta shtetërore. Të dy presidentët kanë përcjellë intonimin e himneve shtetërore, ndërsa pastaj kanë parakaluar para Formacionit të Nderit, i cili ka nderuar vizitën e Presidentit Sejdiu në Gjermani.

Në një takim të gjatë me Presidentin Kohler, Presidenti Sejdiu ka shprehur fjalët të mira të falënderimit për ndihmën e pakursyeshme që ka dhënë dhe që po vazhdon të japë shteti gjerman për Kosovën, në të gjitha fushat, që nga përkrahja e vazhdueshme në të gjithë proceset e rëndësishme politike, pastaj angazhimi i ushtarëve gjermanë në kuadër të forcave të KFOR-it, pjesëmarrja në kuadër të prezencës ndërkombëtare në vend që nga paslufta e deri tash etj.

Ai gjithashtu e ka quajtur shumë të rëndësishme ndihmën e madhe ekonomike që shteti gjerman i ka dhënë Republikës së Kosovës, në të gjitha periudhat e sidomos në fazën e pasluftës, në kohën e rindërtimit të vendit dhe krijimit të kushteve për jetë sa më të mirë të qytetarëve.

Presidenti Sejdiu ka çmuar bashkëpunimin e mirë në fushën e ekonomisë në mes të dy vendeve dhe sidomos investimet e kompanive gjermane në vendin tonë.

Në një deklaratë bërë pas takimeve, Presidenti Sejdiu tha se ndjehej shumë i kënaqur me premtimet që ka marë nga udhëheqësit gjermanë.

Po ashtu, Presideti Sejdiu tha se është një mbështetje e jashtëzakonshme që Kosova ka pasur, ka dhe që do të ketë nga shteti mik gjerman, mbështetje për integrimet evropaiane, për integritetin e saj si shtet i pavarur dhe sovran dhe për ambiciet tona për të qenë një shtet i zhvilluar ekonomikisht.

“Gjermania mbetet partner i investimeve të parezervë në Kosovë, për njerëzit e Kosovës pa dallim etnie, që është edhe vizioni ynë, dhe mbetet po ashtu një partner i vendosur që të mbështesë Kosovën edhe në procese të tjera që kanë të bëjnë me procesin e integrimeve në Bashkimin Evropian”, theksoi Presidenti Sejdiu.

Presidenti Sejdiu përkujtoi edhe me këtë rast se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe nuk do të realizohen kurrë prognozat e oguret e zeza të kundërshtarëve të pavarësisë se Kosova do të jetë një vend jostabil që do të shkaktojë destabiltet në rajon. Përkundrazi, vijoi Presidenti, ne kemi dëshmuar stabilitet dhe jemi të kënaqur që vendeve mike siç është Gjermania, t’u dëshmojmë arritjet dhe sukseset tona, por edhe sfidat me të cilat ballafaqohemi.

Bashkëpunimi mes Kosovës dhe Gjermanisë kanë qenë temë edhe në takimin që Presidenti Sejdiu zhvilloi me Presidentin e Kuvendit të Republikës Federale, dr. Norbert Lammert, si dhe në takimin me ministrin e punëve të Jashtme, dr. Guido Westerwelle.

Presidenti Sejdiu i ka njoftuar bashkëbiseduesit e tij me zhvillimet në Republikën e Kosovës në të gjitha fushat dhe me sfidat e shumta që e presin vendin tonë në rrugën e tij të zhvillimit, funksionalizimit të plotë të institucioneve të shtetit, ndërsa një theks ntë vecantë i ka kushtuar synimit të pandalshëm të vendit që, pas anëtarësimit në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore, në afatin më të shpejtë vendi ynë të anëtarësohet në institucionet euoratlantike.

Një takim të përzemërt Presidenti ka zhvilluar edhe në Fondacionin Korber, ku ishin të pranishëm figura të rëndësishme të jetës politike të Gjermani, përfshirë edhe ish-përfaqësues diplomatikë të këtij shteti në vendin tonë, si dhe ish-drejtues të institucioneve ndërkombëtare në vendin tonë që vijnë nga ky shtet.

Në një ekspoze më të gjatë, Presidenti Sejdiu ka dhënë një pasqyrë të plotë të zhvillimeve në vendin tonë, si dhe ka paraqitur kahet në të cilat do të zhvillohen proceset e zhvillimit dhe të integrimit të Republikës së Kosovës në institucionet ndërkombëtare.

Ai gjithashtu i është përgjigjur interesimit të pjesëmarrësve në debat lidhur me një varg çështjesh që ata kanë shtruar për diskutim.

Në orët e pasdites së sotme, Presidenti Sejdiu do të takohet me Kancelaren Angela Merkel dhe me një varg zyrtarësh të tjerë të shtetit gjerman, ndërkohë që takimet do të vazhdojnë edhe gjatë ditës së nesërme.