Presidenti Sejdiu u prit nga Kryetari i Kuvendit të Madh Kombëtar të Republikës së Turqisë, z. Koksal Toptan

Presidenti Sejdiu shprehu edhe një herë falënderimin në emër të institucioneve dhe të popullit të Republikës së Kosovës për ndihmën e gjithanshme që ka dhënë Turqia për vendin tonë. Po ashtu, ai theksoi vullnetin e institucioneve të Kosovës për thellimin e bashkëpunimit ne mes dy vendeve në të gjitha fushta.

Vëmendje e veçantë gjatë bisedës iu kushtua procesit të njohjes së shtetit të Kosovës dhe kontributit të Turqisë në këtë aspekt. Me këtë rast, Presidenti Sejdiu veçoi rolin e bashkësisë etnike turke që jeton në Kosovë, e cila, sië tha ai, është pjesë e rëndësishme e pavarësisë së Kosovës, si dhe të qytetarëve të Republikës së Turqisë me prejardhje nga Kosova, e cila është një faktor i rëndësishëm afrues në marrëdhëniet në mes dy vendeve.

Edhe në këtë takim, Presidenti Sejdiu mori konfrimimin e z. Toptan, se diplomacia turke do të vazhdojë të punojë për njohjen e Kosovës nga sa më shumë shtete.

“Republika e Kosovës është shtet demokratik i të gjithë qytetarëve, ndërsa pavarësia ka sjellë më shumë paqe dhe siguri në rajonin tonë”, theksoi Presidenti Sejdiu, duke shtuar se vendi ynë, pavarësisht sfidave të ndryshme me të cilat po ballafaqohet, tashmë është një faktor i rëndësishëm i  stabilitetit rajonal.

“Institucionet dhe populli i Kosovës janë përcaktuar fuqishëm për integrim sa më të shpejtë në Bashkimin Evropian dhe në NATO”, vijoi Presidenti Sejdiu, duke pohuar sërish se Kosova e ka pasur dhe vazhdon ta ketë Turqinë vend aleat shumë të rëndësishëm, me të cilin synon që t’i intensifikojë edhe më tepër marrëdhëniet e ndërsjella të bashkëpunimit.

Gjatë ditës së dytë të qëndrimit të tij në Turqi, Presidenti Sejdiu pati një takim edhe me ish-Presidentin e Turqisë, z. Sylejman Demirel, të cilit i shprehu mirënjohjen e tij dhe të popullit të Kosovës për përkrahjen e përhershme që ai i ka dhënë çështjes së Kosovës.