Presidenti Sejdiu u nis për vizitë në Malavi

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu u nis sot për vizitë shtetërore në Malavi, me ftesë të Presidentit të këtij shteti, Bingu Wa Mutharika. Bashkë me Presidentin Sejdiu ka udhëtuar edhe ministri i Jashtëm Skënder Hyseni dhe zyrtarë të tjerë shtetërorë të Kosovës.

Presidenti Sejdiu ka zhvilluar një takim me Presidentin Mutharika në shtator të vitit 2009, ndërsa Malavi, një shtet me rreth 15 milionë banorë dhe një nga shtetet me orientimin më properëndimor në Afrikë, e ka njohur Republikën e Kosovës në nëntor 2009.

Përveç takimit me Presidentin Mutharika, Presidenti Sejdiu do t’i drejtohet me një fjalë edhe Parlamentit të këtij shteti, do të takojë zyrtarë të tjerë të lartë shtetërorë, si dhe do të takojë diplomatë të shteteve të tjera, të akredituar në Malavi.

Në një deklaratë bërë në Aeroportin e Prishtinës para nisjes për vizitë, Presidenti Sejdiu përkujtoi takimin me Presidentin Mutharika në Nju Jork dhe faktin se ai mbajti premtimin që i kishte dhënë për njohjen e Republikës së Kosovës, njohje kjo që u realizuar vetëm dy muaj pas këtij takimi.

Presidenti Sejdiu theksoi se kjo vizitë do t’i ndihmojë zhvillimit të bashkëpunimit mes dy vendeve, ndërsa çmoi si shumë të rëndësishëm faktin se Presidenti Mutharika është kryesues i tashëm i Unionit Afrikan dhe një personalitet që ka një peshë të veçantë në kontinentin e Afrikës.

“Besojmë se nga kjo vizitë do të kemi vërtet një epokë të re të bashkëpunimit mes dy vendeve, por në të njëjtën kohë edhe një influencë të rëndësishme që ky personalitet i fuqishëm i këtij vendi dhe i botës afrikane do të kontribuojë që edhe vendet e tjera të Afrikës ta njohin Republikën e Kosovës”, theksoi Presidenti Sejdiu.