Presidenti Sejdiu u kthye nga vizita në Nju-Jork

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu u kthye sot nga vizita në Nju-Jork, kur për një javë zhvilloi takime me udhëheqës të shteteve nga dhjetëra shtete, të cilët qëndruan në SHBA, në kohën e zhvillimit të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Pas kthimit, ai mbajti sot një konferencë për media në Aeroportin e Prishtinës, transkriptin e së cilës po e sjellim në vazhdim:
 

Unë kthehem nga një vizitë shumë e rëndësishme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përkatësisht në Nju Jork, ku kam pasur takime të shumta bashkë me Kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, me delegacione nga vendet e ndryshme të botës, posaçërisht nga kontinenti afrikan, nga Amerika Latine, nga vendet aziatike, por edhe nga vendet evropiane.

Besoj se keni informacione të plota për secilin prej takimeve që i kemi pasur, sepse janë përcjellë në mënyrë transparente për aq sa ka pasur mundësi.

Në këto takime fokusi themelor i delegacionit të Kosovës ka qenë të bisedohet për çështjen e urgjencës së njohjes së Republikës së Kosovës. Themi se kemi shtruar argumente të bollshme dhe paralelisht mund të them se ka garanci të mira se do të ketë lëvizje pozitive. Këto lëvizje mund të jenë në kohët që vijnë, natyrisht është çështje e vendimit të secilit vend sovran të zgjedhë momentet kur do ta bëjë. Unë s’dua të them se cili  moment do të jetë, por besoj se keni përcjellë edhe disponimin e tyre për aq sa është prezantuar edhe në mjetet e informacionit.

Gjatë kësaj periudhe kemi pasur një takim jashtëzakonisht të mirë edhe me zëvendëssekretarin e shtetit, z. Steinberg dhe më ndihmëssekretarin që merret me çështjet e Evropës Juglindore. Gjatë bisedës me ta kemi marrë një rikonfirmim të fuqishëm të mbështetjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën. Ato do të mbesin të përkushtuara sikur edhe në gjithë periudhat e mëhershme në mbështetje të të gjitha proceseve të mira për të ardhmen tonë dhe për proceset e rëndësishme që ne i aspirojmë si vend i thellimit të demokracisë dhe mirëqenies së qytetarëve të saj pa dallim etnie. Dhe, po ashtu, kemi biseduar edhe për aspektin e angazhimit të drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në proceset që kanë të bëjnë me gamën e bisedimeve eventuale që lidhen me rezolutën e re të Kombeve të Bashkuara.

Ju e dini, një rezolutë që është miratuar me konsensus, ne e kemi theksuar qëndrimin tonë që mbajmë gjithmonë se do të jetë një qasje e përbashkët edhe e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, por natyrisht edhe me rolin mbështetës të fuqishëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pra rolin e pazëvendësueshëm.

Duke thënë gjithmonë se institucionet e Kosovës, janë të gatshme të bisedojnë për të gjitha temat që janë në interes të qytetarëve të vendit, të një vendi sovran, pra edhe të vendit tjetër, pro gjithmonë mbi bazë të barabartë, këto parime janë shtruar sepse janë pjesë edhe e bisedave të mëhershme që janë bërë. Ju i dini edhe kontaktet që i kemi pasur edhe në kohët para miratimit të rezolutës të kosponsoruar prej Bashkimit Evropian dhe natyrisht të Serbisë, pasi që ka qenë e detyruar të heqë tekstin e saj të rezolutës si projekt me të cilin ka dëshiruar krejt diçka tjetër dhe de fakto Kosova në këtë rezolutë njihet si realitet i ri pozitiv, them drejtpërdrejt edhe nga vendet e tjera të cilat në një formë apo formë tjetër kane hezituar apo kanë kundërshtuar njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Këto çështje ishin në pjesën e fokusit të përgjithshëm. Natyrisht se kam pasur nderin po ashtu të mbaj një ligjëratë për zhvillimet e rëndësishme që ka pasur, ka dhe çfarë vizioni ka Kosova në Universitetin më prestigjioz botëror, në Harvard, ku është moderuar nga ish zëvendëssekretari i shtetit Nik Bërns, i cili natyrisht këtë kohë është angazhuar edhe si profesor universiteti. Prandaj, ua di për nder për mundësinë që më dhanë dhe për debatin e mirë që pata me njerëzit, studentë të viseve të ndryshme të botës, që kanë aderuar në këtë universitet me reputacion të veçantë dhe po ashtu them se interesimi tek ta, pjesa e fokusit për Kosovën është shumë e thelluar.

Kosova do të shërbejë si një nga shembujt e veçantë të mësimit në diplomacinë ndërkombëtare dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare, ku bëhet evoluimi i të gjitha zhvillimeve historike dhe zhvillimeve të mëvonshme deri në pjesën e aktualitetit, pra refleksionet e ndërtimit apo zhvillimit pozitiv të vendit tonë. Këto janë çështje që unë në këtë rast i kam përcjellë si pjesë edhe të vizionit tonë, por në pjesën e punës me delegacione të vendeve të ndryshme.

Së fundi ju e dini se patëm takim edhe me Presidentin e Irakut z. Jalal Talabani, i cili thjesht na shprehu një mikpritje të veçantë bashkë me Kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm dhe natyrisht se do të jetë koha para nesh që te jetë me lajme të mira në kohën kur ata do të marrin vendim.

Pyetje: Z. President, cili do të jetë reflektimi juaj ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që ka konstatuar se ju keni bërë shkelje serioze të kushtetutës duke mbajtur dy postet. Do të paraqitni dorëheqjen ose si do t’ia bëni?

Presidenti Sejdiu:
Unë kam marrë një informacion, por nuk kam marr vendimin. Dhe natyrisht, përgjigjen time të drejtpërdrejtë lidhur me vendimin dhe pjesën shpjeguese të tij do ta jap pasi ta studioj. E di se në atë konfirmim në faqen e shtëpisë apo të Gjykatës Kushtetuese është një konstatim që ju e thoni asisoj. Unë them po kështu paralelisht se është shumë e nevojshme për opinionin tonë ta them se ajo normë kushtetuese që ekziston në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, është respektuar, është respektuar duke pasur parasysh zhvillimin nga ideja e ndërtimit të saj deri në gjithë qasjet e mëvonshme.

Mosushtrimi i funksionit apo ushtrimi i funksionit është kategori kushtetuese dhe unë t’ju them në historikun e materies, sepse jam nga njerëzit që kam përcjellë me vëmendje ndërtimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe besoj edhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë qenë aty edhe e dinë se cila ka qenë ideja, se nuk është shembull identik me normat kushtetuese që kanë dhënë tjera. Sepse që në fillim është paraparë, që njeriu që zgjidhet apo personi që zgjidhet për President të vendit duhet të japë dorëheqje edhe nga partia politike edhe nga funksionet politike deh ajo normë është fshi. Kjo normë e tanishme është bërë në bashkëpunim edhe me faktorë të rëndësishëm ndërkombëtar në proces është bërë në bashkëpunim me faktorë të rëndësishëm vendorë dhe është në ndërgjegjen e njerëzve që e kanë vendosur në mënyrën si e kanë vendosur.

Unë nuk dua t’i fajësoj. Është çështje e studimit nga ana e tyre, por dua të them diçka tjetër paralelisht nuk është krijuar shansi që njerëzit që kanë prezantuar çështjen e Presidentit të Kosovës të dëgjohen. Ka qenë një nguti e llojit të vet, s’dua t’i akuzoj, mbase e ka lyp urgjenca që të shpejtohet dhe të komunikohet në mënyrat si është komunikuar. Për mua kanë qenë të mirëseardhura gjithmonë lajmet që i kam marrë nga gazetat dhe mjetet e caktuara të informacionit dhe jo asnjëherë përmes përfaqësuesve të mi dhe unë drejtpërdrejt dhe s’kam çfarë të them tjetër. Do të shohim, unë jam njeri që respektoj institucionet, do të respektoj vendimin e tyre, të shoh rrugën se cila do të jetë përgjigja e Presidentit të vendit në mënyrën më të mirë të mundshme. Unë jam i ndërgjegjshëm për punën që kam bërë, kam bërë në interes të vendit gjithmonë në proceset më të mëdha që i kemi kapërcyer deh më të ndjeshme që i kemi kapërcyer.

Pyetje: A do të jepni dorëheqje, meqenëse ju keni thënë se do ta respektoni vendimin e Gjykatës Kushtetuese?

Presidenti Sejdiu:
Gjykata Kushtetuese, ka dhënë një mendim të vetin. Gjykata Kushtetuese nuk preferon se çfarë duhet të bëjë Presidenti i vendit.

Pyetje: Kur do të pritet ky vendim?

Presidenti Sejdiu:
Unë do të pres vendimin e Gjykatës dhe atëherë marr vendimin. Unë s’kam marrë vendimin e Gjykatës, dhe as zyra ime nuk e ka marrë.