PRESIDENTI SEJDIU U DREJTOHET QYTETARËVE TË KOSOVËS

Nesër në Vjenë zhvillohet sesioni i fundit i konsultimeve shtesë për propozimin e Presidentit Ahtisari për zgjidhjen e statusit të Kosovës.

Të nderuar qytetarë të Kosovës,

Nesër në Vjenë zhvillohet sesioni i fundit i konsultimeve shtesë për propozimin e Presidentit Ahtisari për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Kështu, po merr fund një proces i gjatë dhe i mundimshëm gjatë të cilit Kosova dhe përfaqësuesit e saj në bisedime kanë dhënë gjithë ç’është e mundshme për ta përmbyllur me sukses, në rrugë ndërkombëtare, pavarësimin e Kosovës.

Ekipi i Unitetit, në bazë të mandatit që i ka dhënë Kuvendi i Kosovës, si institucioni më i lartë përfaqësues i vendit, në vazhdimësi ia ka shprehur pikëpamjet e tij Presidentit Ahtisari për të gjitha çështjet e përfshira në Pakon e statusit. Ky ekip i ka artikuluar shqetësimet dhe i ka bërë vërejtjet e nevojshme, në mënyrë që Pakoja të jetë sa më e mirë dhe sa më funksionale për shtetin e Kosovës.

Siç e kemi theksuar shpesh këto javët e fundit, Pakoja e Presidentit Ahtisari e shpie Kosovën  pashmangshëm në pavarësi, që domethënë se Kosova përfundimisht do ta zërë vendin e vet në familjen e kombeve të lira dhe në të gjitha organizmat ndërkombëtarë, duke përfshirë edhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Ekipi i Unitetit dhe strukturat e tjera të përfshira në procesin negociator i kanë dhënë gjatë gjithë procesit shpjegimet e duhura për Pakon e Ahtisarit, duke i ngritur edhe shqetësimet legjitime të qytetarëve rreth saj.

Të nderuar qytetarë të Kosovës,

Pas prezantimit të propozimit të Ahtisarit, në Kosovë ka pasur edhe reagime kundërshtuese me protesta në rrugë, të cilat, më 10 shkurt, kanë degjeneruar në dhunë të papranueshme dhe fatkeqësisht në humbjen e dy jetëve. Përsëritja eventuale e ngjarjeve të tilla të dhunshme e rrezikon seriozisht procesin e pavarësimit të Kosovës. Këtë duhet ta kenë të qartë të gjithë qytetarët e Kosovës, të cilët i ftoj të qëndrojnë larg organizimeve të tilla dashakëqija.

Të nderuar qytetarë të Kosovës,

Dua të theksoj qartë dhe me zë të lartë se të gjithë ata që planifikojnë, nxisin dhe ushtrojnë dhunë për qëllime politike, e në veçanti në emër të pakënaqësive dhe gjoja shqetësimeve popullore ndaj propozimit të Presidentit Ahtisari, janë esencialisht kundër pavarësisë dhe prosperitetit të vendit tonë.

Prandaj, qytetarë të dashur të Kosovës, ju bëj thirrje që të keni besim, si edhe deri më tash, në përfaqësuesit tuaj legjitim, dhe në procesin ndërkombëtar, i cili përfundimisht do ta bëjë Kosovën shtet të pavarur dhe prosperues, të gatshëm për hyrë në integrimet euroatlantike.