Presidenti Sejdiu takoi z. Casper Klynge, kryesues i Ekipit planifikues të Bashkimit Evropian në Kosovë

Presidenti i Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, e ka falënderuar sot z. Casper Klynge, shef në largim i Ekipit planifikues të Bashkimit Evropian në Kosovë, për punën dhe përkushitmin e tij të veçantë gjatë kohës sa ai ka udhëhequr këtë ekip.

“Kemi pasur bashkëpunim të shkëlqyeshëm me ju z. Klynge dhe jemi të bindur se fryma e tillë bashkëpunimit dhe e koordinimit do të vazhdojë edhe me suksesorin tuaj” tha Presidenti Sejdiu.

Duke folur për situatën politike në vend, Presidenti Sejdiu tha se Kosova tani është para vendimeve të mëdha, të cilat do të merren në bashkëpunim me miqtë tanë, ShBA-të dhe BE-në, menjëherë pasi që të koonstituohen organet e reja, Parlamenti dhe Qeveria e Kosovës.

Ndërsa, z. Klynge çmoi rolin krucial, siç tha ai, të Presidentit Sejdiu në këtë fazë tepër të rëndësishme për Kosovën. Gjithashtu, z. Klynge e njoftoi Presidentin për punët që janë bërë dhe  po bëhen në fushën e sundimit të ligjit. Ai shfaqi bindjen se Kosova ka kapacitete kadrovike në këtë lëmi për të përballur me sukses me sfidat që ka para vetes.