Presidenti Sejdiu takoi shefin e UNMIK-ut, z. Joachim Rucker

“Kosova është në prag të rideklarimit të pavarësisë dhe institucionet e saj do të vazhdojnë të bashkëpunojnë ngushtë me UNMIK-un, KFOR-in dhe organizmat e tjerë ndërkombëtarë që janë në Kosovë, me qëllim të menaxhimit të suksesshëm të punëve që na presin në periudhën e tranzicionit”, tha Presidenti i Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, gjatë takimit me z. Joachim Rucker, Përfaqësues Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së.

Po ashtu, Presidenti Sejdiu theksoi se stabiliteti dhe qetësia e përgjithshme e vendit janë faktorë jetikë që shteti i ri i Kosovës të dëshmojë se është i gatshëm të jetë pjesë e familjes së vendeve të lira dhe sovrane.

“Kosova e pavarur do të jetë atdhe i të gjithë qytetarëve të saj, me garanci të plota për respektimin e kulturës, trashëgimisë shpirtërore dhe të gjitha të drejtave të tjera të komuniteteve pakicë”, vijoi Presidenti Sejdiu, duke përsëritur se institucionet e Kosovës, përfshirë edhe Kuvendin, janë zotuar se do ta implementojnë të plotë pakon e Ahtisarit, e cila u njeh pakicave të drejta të garantuara me standardet më të larta të mundshme. 

Gjithashtu, Presidenti Sejdiu tha se vizioni i institucioneve të Kosovës është i qartë.

“Integriteti i plotë i Kosovës është i padiskutueshëm, ndërsa pavarësia është zgjidhje racionale, e cila do të krijojë mundësinë për paqe të qëndrueshme në rajon dhe perspektivë për integrim më të shpejtë në BE dhe në NATO”, tha Presidenti Sejdiu

Ndërsa, z. Joachim Rucker pohoi edhe një herë gatishmërinë e UNMIK-ut për ta ndihmuar stabilitetin e përgjithshëm dhe konsolidimin e jetës institucionale demokratike në të mirë të të gjithë qytetarëve të Kosovës.

“UNMIK-u do të jetë i përkushtuar që bashkë me institucionet e Kosovës të punojë me tërë kapacitetin që ka për ta ruajtur stabilitetin dhe për t’u krijuar perspektivë të qartë të gjithë qytetarëve të Kosovës”, tha z. Rucker.