Presidenti Sejdiu takoi përfaqësuesit e BERZH-it

Presidenti i Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu takoi përfaqësuesit e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në krye me z. Claudio Viezzoli, drejtor i BERZH-it për Ballkanin Perëndimor. Në takim u diskutua për çështje që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe mënyrat se si kjo bankë do të mundet edhe më tej të kontribuojë në mbështetjen e bizneseve dhe rritjen ekonomike të vendit.

Presidenti Sejdiu i falënderoi përfaqësuesit e BERZH-it për mbështetjen e projekteve të ndryshme, të cilat e kanë avancuar ekonominë dhe kanë krijuar vende të reja pune në Kosovë. Ai tha se proceset demokratike janë të ndërlidhura ngushtë me proceset ekonomike, dhe njëra pa tjetrën nuk mund të ecin përpara.

Në anën tjetër, z. Viezzoli tha se BERZH është e interesuar që të ofrojë kredi, të cilat u krijojnë bizneseve mundësi për zhvillim. Ai përmendi projektin për dhënien e granteve të financimit për Ballkanin Perëndimor dhe tha se projekte të tilla janë në të mirë të një ekonomie të avancuar të bazuar në konkurrencë normale.

“Ne kemi plane të mëdha për vitin e ardhshëm që të mbështesim rritjen e kapitalit vendor në mënyrë që të rritet numri i vendeve të punës dhe niveli i zhvillimit”, theksoi Viezzoli, ndërsa të dy bashkëbiseduesit u pajtuan për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit.