Presidenti Sejdiu takoi Papën Benedikti XVI

Presidenti i Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, sot u takua në Vatikan me Papën Benedikti XVI, të cilin e njoftoi për arritjet në Kosovë dhe rrjedhat e procesit të përcaktimit të statusit të saj.

“Ne angazhohemi që Kosova të jetë e pavarur, konform vullnetit politik të institucioneve dhe popullit të saj”, tha Presidenti Sejdiu, duke rikujtuar se Kuvendi i Kosovës është zotuar se do ta respektojë planin e Presidentit Ahtisari, i cili propozon pavarësi për Kosovën me të gjitha të drejtat e garantuara për komunitetet pakicë.

“Kosova do të jetë vend i lirë i të gjitha qytetarëve të saj të barabartë pa dallim etnie a religjioni”, theksoi Presidenti Sejdiu duke e falënderuar Papën Benedikti XVI për ndihmën e përhershme që ka dhënë Selia e Shenjtë për Kosovën.

“Kosova ka përjetuar tragjedi të tmerrshme, por ne jemi të përkushtuar të ecim përpara drejt së ardhmes, me qëllim të mëvetësimit të plotë të vendit tonë dhe integrimit të tij sa më të shpejt në strukturat euroatlantike”, pohoi Presidenti Sejdiu

Ndërkaq, Papa Benedikti XVI shfaqi besimin se zgjidhja e çështjes së Kosovës do të sjellë paqe dhe stabilitet për të gjithë qytetarët e saj dhe rajonin. Ai ripërsëriti admirimin dhe përkrahjen e tij për popullin e Kosovës.

Presidenti Sejdiu, më herët, u takua me Sekretarin e shtetit të Vatikanit, Kardinalin Tarcisio Bertone. Po ashtu, ai takoi sot në Romë edhe Monsinjor Vincenso Paljen, udhëheqës shpirtëror i komunitetit Shën Exhidio, që dje kremtoi 40-vjetorin e themelimit. Me këtë rast, ky komunitet shtroi drekë për nder të Presidentit të Kosovës, dr. Fatmir Sejdiut.