Presidenti Sejdiu takoi një grup deputetësh të Parlamenti Britanik

Presidenti Sejdiu priti një grup deputetësh të Parlamentit Britanik, në krye me z. John Randall, me të cilët diskutoi për dinamikën e proceseve në të cilat po kalon Kosova, si dhe për përkushtimin e vazhdueshëm të qeverisë dhe parlamentit britanik në këtë aspekt.

Presidenti i falënderoi deputetët për gjithë angazhimin e tyre dhe të Parlamentit Britanik, e në veçanti për mbështetjen e tyre gjatë kësaj faze të fundit, kur pritet përmbyllja e procesit dhe pavarësimi i plotë i Kosovës. Ai tha se institucionet e Kosovës po punojnë në unitet të plotë dhe në bashkëpunim të ngushtë me bashkësinë ndërkombëtare. Presidenti i njoftoi ata se pala kosovare ka mirëpritur planin e Ahtisaarit, duke shtuar se ky plan vë bazat për shtetin e pavarur të Kosovës.

Nga ana tjetër, deputetët britanikë thanë se qeveria dhe populli britanik kanë investuar shumë kohë dhe ekspertizë në këtë pjesë të Ballkanit dhe janë të interesuar që të lëvizet sa më shpejt drejt zgjidhjes së statusit të Kosovës. Ata shtuan se janë shumë të kënaqur me të arriturat në Kosovë gjatë viteve të fundit.