Presidenti Sejdiu takoi ministren e Jashtme të Afrikës së Jugut

Presidenti i Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, takoi sot pasdite vonë zonjën Nkosazana Dlamini Zuma, ministre e Jashtme e Afrikës së Jugut.

Presidenti Sejdiu shtroi argumente të shumta për karakterin e veçantë të çështjes së Kosovës, e cila tani duhet të zgjidhet në pajtim me propozimin e Presidentit Ahtisaari për pavarësi të Kosovës.

Presidenti Sejdiu tha se Afrika e Jugut, si një vend që ka pasur një histori të dhimbshme, do të dijë të bashkëndiejë me vuajtjet e popullit të Kosovës nën pushtimin serb, duke përfshirë edhe agresionin e hapur, luftën, dhe deportimin e dhunshëm të pothuajse gjysmës së popullsisë së vendit tonë në pranverën e vitit 1999.

Konflikti në mes të Kosovës dhe Serbisë është konflikt ndërmjet nesh që duam ta sundojmë veten dhe atyre që duan të na sundojnë, theksoi Presidenti Fatmir Sejdiu. Ai përkujtoi se populli i Kosovës kishte përjetuar një aparteid de facto pas përzënies nga pushteti serb i pothuajse të gjithë punëtorëve shqiptarë nga vendet e tyre të punës, si dhe përzënies së nxënësve dhe të studentëve nga objektet e tyre shkollore. Kësisoji, Beogradi kishte instaluar pushtet të pakicës serbe mbi shumicën dërmuese shqiptare prej 90 përqindësh.

Presidenti Sejdiu i bëri thirrje Afrikës së Jugut që të përkrahë rezolutën e re për Kosovën dhe pavarësinë e rekomanduar nga Presidenti Ahtisari.

Ministresha jugafrikane Nkosazana Dlamini Zuma u shpreh mirënjohëse për informacionin dhe shpjegimet që mori nga Presidenti Sejdiu. Ajo tha se do ta informonte Presidentin Mbeki dhe qeverinë e vendit të saj për përmbajtjen e takimit me Presidentin Sejdiu, duke theksuar se ky takim do ta ndihmojë administratën jugafrikane që të marrë qëndrim në Këshillin e Sigurimit.