Presidenti Sejdiu takoi Kryetarin e AAK-së, z. Ramush Haradinaj

“Zgjedhjet e sivjetshme lokale janë zgjedhjet e para që organizohen nga institucionet e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës, ndaj është tepër e rëndësishme që ato të përgatiten si duhet dhe të përmbyllen sipas standardeve më të larta demokratike”, theksoi Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, gjatë një takimi që pati sot më Kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, z. Ramush Haradinaj.

Presidenti Sejdiu theksoi se këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme për imazhin e shtetit tonë në botë, prandaj të gjitha partitë politike duhet të angazhohen maksimalisht për një proces korrekt dhe të ndershëm, ndërsa liderët e tyre duhet t’i bëjnë thirrje elektoratit që të përmbahen nga çfarëdo veprimi që eventualisht mund ta cenojë ecurinë e mbarë të këtij procesi.

Presidenti Sejdiu, gjithashtu, tha se është shumë e nevojshme që institucionet e Republikës së Kosovës të bashkëpunojnë ngushtë me të gjitha subjektet politike të vendit, me qëllim që si shtet t’i përballojmë sfidat që kemi përpara.

Ndërkaq, Kryetari i AAK-së, z. Haradinaj tha se partia që ai drejton do të punojë edhe më tej për realizimin e aspiratave dhe interesave të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Sa u përket zgjedhjeve të sivjetshme, ai theksoi se AAK-ja bën thirrje për një proces korrekt zgjedhor, i cili duhet të sigurojë respektimin e plotë të vullnetit të zgjedhësve.