Presidenti Sejdiu takoi ish-Arqipeshkvin e Uashingtonit dhe anëtarin e Bordit të CRS-së, Theodore McCarrick

Presidenti i Republikës së Kosovës, Dr. Fatmir Sejdiu priti ish-Arqipeshkvin e Uashingtonit dhe anëtarin e Bordit të CRS-së (Catholic Relief Services), Theodore McCarrick.

Në takimin, ku morën pjesë edhe Imzot Dodë Gjergji, Ipeshkv i Kosovës, dhe Mark Schnellbeacher - Drejtor Rajonal i CRS-së për Evropë dhe Lindje të Mesme, Presidenti Sejdiu shprehu falënderimet e popullit të Kosovës për ndihmën e vazhdueshme të ish-Arqipeshkvit të Uashingtonit dhe të CRS-së dhënë Kosovës dhe popullit të saj. Ai theksoi bashkëpunimin e shkëlqyeshëm ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Kishës Katolike të Kosovës dhe premtoi bashkëpunim dhe mbështetje të mëtutjeshme për Kishën dhe komunitetin katolik në Kosovë. 


“Toleranca ndërfetare në Kosovë gjithnjë ka qenë dhe mbetet shembull i shkëlqyeshëm i bashkëjetesës së tri konfesioneve fetare dhe ne e konsiderojmë vlerë të popullit tonë”, theksoi Presidenti Sejdiu. 


Ish-Arqipeshkvi McCarrick tha se do të vazhdojnë të qëndrojnë pranë Kosovës dhe popullit paqësor të saj dhe se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mburren që janë ndër miqtë që më së shumti e kanë mbështetur Kosovës. Ai i shprehu falënderime Presidentit Sejdiu për përkrahjen dhe mbështetjen ndaj të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë, pa dallim feje apo kombësie.