Presidenti Sejdiu takoi ambasadorin e Sllovenisë, z. Vojko Volk

Presidenti i Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu u takua sot edhe me ambasadorin slloven në Prishtinë, z, Vojko Volk, të cilin e falënderoi për ndihmën dhe angazhimin e pakursyer të popullit dhe të shtetit slloven për Kosovën.

“E çmojmë lart kontributin e shtetit slloven për Kosovën, si më parë, ashtu edhe tani, në fazën e përcaktimit të statusit final, pavarësisë së saj”, tha Presidenti Sejdiu, duke e vlerësuar, po ashtu, rolin e pjesëtarëve të ushtrisë sllovene në Kosovë, të cilët janë pritur shumë ngrohtësisht nga qytetarët e vendit.

Edhe ambasadori Volk veçoi marrëdhëniet e mira në mes dy vendeve dhe optimizmin se ato do të thellohen edhe më tej në të ardhmen.

“Sllovenia do të vazhdojë ta përkrahë Kosovën në të gjitha aspektet”, u zotua ambasdori Volk.