Presidenti Sejdiu takoi ambasadorin e Japonisë, z. Akio Tanaka

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu ka ripërsëritur sot vlerësimin e lartë dhe mirënjohjen e përhershme të qytetarëve dhe të institucioneve të vendit për përkrahjen e madhe që Japonia i ka dhënë në vazhdimësi Kosovës.

Në një takim që pati sot me ambasadorin jorezident të Japonisë, z. Akio Tanaka, Presidenti Sejdiu tha se Japonia ka pasur një rol të veçantë në të gjitha procesiet nëpër të cilat ka kaluar Kosova si para, ashtu edhe pas shpalljes së pavarësisë së vendit tonë.

Pasi vuri në pah rëndësinë që Kosova u kushton marrëdhënieve të mira me të gjitha vendet fqinje dhe të rajonit, Presidenti Sejdiu theksoi se vizioni themelor i qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës është integrimi sa më i shpejtë në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në institucionet e tjera ndërkombëtare, duke përfshirë edhe OKB-në.

Natyrisht, vijoi Presidenti Sejdiu, ne jemi të bindur se ndihma e Japonisë për realizimin e këtyre synimeve tona do të jetë e plotë, ashtu siç ka qenë gjithmonë deri më tani.

Ndërsa, ambasadori Tanaka tha se Japonia ka qenë dhe është shumë e fokusuar për Kosovën. 

“Japonia do të mbetet e përkushtuar që ta ndihmojë zhvillimin ekonomik të Kosovës, përmirësimin e mirëqenies së përgjithshme jetësore të qytetarëve”, tha ambasadori Tanaka, duke e siguruar Presidentin Sejdiu se Japonia do ta mbështesë plotësisht Kosovën në procesin e sigurimit të njohjeve të reja.