Presidenti Sejdiu takoi ambasadoren Susan Rice dhe disa ambasadorë të shteteve në OKB

Nju Jork, 2 mars. - Në kuadër të vizitës që po i bën SHBA-ve, Presidenti Sejdiu të hënën në Nju Jork takoi ambasadoren e SHBA-së në OKB, zonjën Susan Rice. Presidenti Sejdiu e informoi ambasadoren amerikane lidhur me proceset që po zhvillohen në Kosovë dhe me punën që po bëhet për njohjen e Kosovës së pavarur nga sa më shumë shtete.

Edhe me këtë rast u theksua se pavarësia e Kosovës ka ndikuar dhe do të ndikojë jo vetëm në zhvillimin më të shpejtë të Kosovës, por edhe në stabilizimin e mëtejmë të rajonit. Një hov më të madh këtij procesi do t’i jepnin njohjet e reja dhe anëtarësimi i saj në organizatat më relevante ndërkombëtare, u tha në takim.

Ambasadorja amerikane në OKB, zonja Rise konfirmoi mbështetjen amerikane për zhvillimin e Kosovës në të gjitha sferat dhe për nxitjen e njohjeve të reja nga vendet që ende nuk e kanë bërë këtë.

Presidenti Sejdiu, po të hënën, zhvilloi takime të veçanta me disa nga ambasadorët e shteteve që ende nuk e kanë njohur Kosovën. Ai takoi ambasadorët e Katarit, Ganës, Arabisë Saudite, Pakistanit dhe Egjiptit, të cilët u informuan për të arriturat e Kosovës brenda një viti të pavarësisë. Presidenti Sejdiu kërkoi nga këta përfaqësues të lartë diplomatikë që vendet e tyre të njohin sa më parë realitetin e pakthyeshëm, përkatësisht pavarësinë e Kosovës, që po konfirmohet si faktor stabiliteti në rajon e më gjerë. Ambasadorët e këtyre vendeve kanë shfaqur mirëkuptim lidhur me kërkesën për njohje dhe kanë theksuar se vendet e tyre janë duke i përcjellë me interes proceset në Kosovë dhe rreth saj, si dhe janë në proces të shqyrtimit të kërkesës për njohje të pavarësisë së Kosovës.

Presidenti Sejdiu, gjatë qëndrimit në Nju Jork takoi edhe përfaqësuesit e shoqatës AAPEN, përkatësisht Rrjetit të Profesionistëve Shqiptaro-Amerikanë, që është përqendruar në organizimin sa më të mirë të potencialit intelektual të shqiptarëve nga të gjitha viset që jetojnë, studiojnë e punojnë në SHBA. Me këtë rast u vlerësua si e rëndësishme ndihma e ekspertëve shqiptaro-amerikanë, veçmas në zhvillimin e Kosovës. 


Po kështu, Presidenti Sejdiu takoi dhe zhvilloi një bisedë edhe me përfaqësuesit e Shoqatës së Studentëve Shqiptarë që janë duke studiuar në Nju Jork.

Të martën paradite Presidenti Sejdiu do të vazhdojë takimet edhe me disa ambasadorë të vendeve të përfaqësuara në OKB, ndërsa pasdite do të udhëtojë për në Prishtinë, duke përmbyllur kështu këtë vizitë të suksesshme në SHBA.