Presidenti Sejdiu shtroi darkën tradicionale për Korin Diplomatik

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu shtroi mbrëmë darkën tradicionale për Korin Diplomatik të akredituar në Prishtinë.

Presidenti Sejdiu i falënderoi institucionet ndërkombëtare për punën që kanë bërë dhe për angazhimin e tyre për Kosovën. Ai tha se viti që lamë pas ishte vit i sukseseve dhe arritjeve të mëdha për Kosovën, duke uruar kështu që edhe viti 2010 të jetë vit i zhvillimit të vendit.

“Unë ndjej kënaqësi që sonte jemi prapë bashkë të nisim një vit të mbarë të punës për Kosovën. Duke ju dëshiruar shëndet, fat dhe sukses juve dhe familjeve tuaja, dëshiroj që të vazhdojmë një punë intensive në këtë vit të sfidave të mëdha për ne. Mund të them se viti 2009 ka qenë vit i suksesit të përgjithshëm për Kosovën dhe them se edhe si qytetar, edhe si institucione të vendit nuk do t’i arrinim qëllimet, po të mos kishim mbështetjen tuaj, të gjithë përfaqësuesve të vendeve që kanë mbështetur Kosovën, institucionet ndërkombëtare, po edhe KFOR-in”, tha Presidenti Sejdiu.

Duke folur rreth zhvillimeve që kanë ndodhur vjet në vendin tonë, Presidenti Sejdiu tha se proceset që i kemi kapërcyer kanë qenë shumë të mëdha dhe me peshë të veçantë për Kosovën.

“Për ne është me rëndësi që stabiliteti i vendit është një stabilitet i qëndrueshëm, që është kontribut i gjithë qytetarëve, por edhe i institucioneve. Me gjithë sfidat që kemi pasur, kemi lëvizur në një progres të mirë të zhvillimit ekonomik të vendit dhe kemi arritur që vërtet t’i realizojmë premtimet themelore, ato që i kemi edhe zotime në projektin Ahtisari, në relacion me të gjithë qytetarët e vendit, në veçanti me komunitetet pakicë. Po ashtu, kemi arritur të ndërtojmë edhe institucionet më vitale për funksionimin e shtetit, si Gjykatën Kushtetuese, Forcën e Sigurisë së Kosovës, Agjencinë Kosovare të Inteligjencës”, theksoi Presidenti Sejdiu.

Duke folur rreth progresit të shënuar në vendin tonë, foli edhe rreth njohjeve që Kosova i ka pasur nga shtete të ndryshme në vitin që lamë pas si dhe për shtrirjen e rrjetit diplomatik në vende të ndryshme që deri më tani e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. “Është me rëndësi se Kosovën deri më tani e kanë njohur 65 shtete, kemi ndërtuar një rrjet modest diplomatik të përfaqësimit të Kosovës me 21 ambasada dhe 9 misione konsullore. Kemi pasur një mbështetje të fuqishme nga vendet tuaja dhe nga të gjitha vendet e tjera mike, që Kosova të jetë anëtarë e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar”, vijoi Presidenti Sejdiu.

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sedjiu foli edhe rreth procesit të zgjedhjeve të para lokale të mbajtura në Kosovën e pavarur, të menaxhuara për herë të parë nga institucionet e vendit.

“Kemi pasur një proces të madh dhe të rëndësishëm zgjedhor, të zgjedhjeve të para lokale në Kosovën e pavarur, të cilat i kanë menaxhuar institucionet e vendit. Pavarësisht se disa procedura demokratike do të përfillen ende, me rëndësi që qytetarët e vendit kanë dhënë provën e vet në një proces të rëndësishëm elektoral. Ajo që është e rëndësishme, ka qenë një garë e përgjithshme fer, e gjithë subjekteve garuese dhe individëve në konkurrencë.

Pas pavarësisë, e cila sipas Presidentit Sejdiu është arritur bashkë me miqt e Kosovës, sfidë e madhe mbetet zhvillimi i shtetit të pavarur të Kosovës. 
Duke folur kështu rreth zhvillimeve të cilat e përcollën Kosovën gjatë vitit 2009, Presidenti Sejdiu shpalosi edhe disa nga preokupimet themelore për vitin 2010.

“E para, të vazhdojmë pjesën e mirë të punës që e kemi bërë, të bashkëpunojmë ngushtë me EULEX-in, KFOR-in dhe me institucionet ndërkombëtare që mbështesin Kosovën në përshpejtimin e saj të hapit për integrimet, të përpiqemi të akceptojmë modelin më të mirë të qeverisjes edhe nga vendet në rajon, por edhe nga përvojat tuaja dhe të mos u japim asnjëherë përgjigje të retorikave të këqija që adresohen kundrejt Kosovës, fatkeqësisht në një politikë ende irracionale që e përcjell Serbia.

Për ne është shumë me rëndësi që lëvizja e lirë e qytetarëve të jetë një lëvizje që do të marrë përmasat e globales, në atë që e quajmë  liberalizim të përgjithshëm të vizave dhe Kosova nesër të jetë sa më shpejt e inkorporuar në këtë proces, ndërsa provat tona do ti japim plus edhe në proceset vendore dhe zotimin e realizimit të zotimeve tona, siç e kemi thënë nga projekti Ahtisari dhe atyre që i kemi bërë në proces.

Është shembull i mirë që janë formuar tri komuna, edhe me daljen e mirë të qytetarëve serbë në zgjedhje, do të formohen edhe komunat e tjera në proces normal, por të njëjtën kohë do të kërkojmë veprime të përbashkëta energjike, demokratike në funksionimin e institucioneve të vendit në gjithë hapësirën e Kosovës dhe besoj se këto janë prova të bollshme dhe synime të
mira që i keni para vetes”, tha Presidenti Sejdiu.

Presidenti Sejdiu në fund tha se i gjithë ky zhvillim, ky progres i arritur në vendin tonë është arritur falë bashkëpunimit dhe akordancës, në rend të parë, me qytetarët e vendit dhe me institucionet ndërkombëtare.

“Pa një mbështetje të mirë të brendshme, por edhe ndërkombëtare nuk mund të arrijmë qëllimin e optimales të mirë që do ta dëshirojmë, por besoj se do t’ia arrijmë, prandaj janë borxhe të përbashkëta për qytetarët tanë. Porta ime është e hapur gjithmonë për bashkëpunimet më të nevojshme, për ne, për Kosovën, për të ardhmen tonë dhe ky është zotim paralel i të gjitha institucioneve”, shtoi Presidenti Sejdiu.