Presidenti Sejdiu shtroi Darkën e Lamës

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, për nder të Ditës së Falënderimit, shtroi Darkën e Lamës, në të cilën ishin të pranishëm zyrtarë të lartë vendorë dhe ndërkombëtarë. Me këtë rast, Presindenti Sejdiu iu drejtua të pranishmëve me një fjalë rasti:

I nderuari kryeministër Thaçi,
Znj. Thaçi
Të nderuar ambasadorë të akredituar në Kosovë,
I nderuari z. Piter Faith, Përfaqësues Civil Ndërkombëtar,
I nderuari komandant i KFOR-it, gjenerallejtënant Markus Bentler,
I nderuari kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, akademik Besim Bokshi,
Deputet dhe Ministra,

Përfaqësues të pushtetit lokal dhe të partive politike,
Të nderuara familje të dëshmorëve, përfaqësues të Policisë së Kosovës, të FSK-së dhe të bashkësive fetare të Kosovës,
Të nderuar krijues, përfaqësues të biznesit dhe të mjeteve të informimit,

Zonja dhe zotërinj,

Ju kam ftuar sonte këtu, në Prishtinë, që ta kremtojmë bashkë Festën e Ditës së Falënderimit, apo Darkën e Lamës, e cila është një festë shumë e vjetër tradicionale popullore dhe familjare e Kosovës dhe e viseve të tjera ku jetojnë shqiptarët.

Kjo festë është ruajtur nëpër shekuj deri në ditë tona. Siç e dini, autorët antikë e kanë shënuar që nga shekulli V para Krishtit si festë e vitit tek ilirët, të parët e shqiptarëve. Në Kosovën moderne, si akt i trashëgimisë shpirtërore e kulturore, “Darka e Lamës” e rifitoi nderimin që i takon më 2002, kur Presidenti historik i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova e shpalli festë shtetërore. Që atëherë, nën patronazhin e Presidentit të Republikës së Kosovës, si shenjë falënderimi për të mirat që na i ka dhuruar Zoti brenda një viti, përkatësisht si lutje sublime për të mirat që do të na i dhurojë në motet e ardhshme, organizohet ky manifestim, i cili na bashkon e na afron përreth sofrës së begatshme me drithërat dhe frutat e shëndetshme që i prodhon toka e bereqetshme Kosovës.

Të dashur mysafirë,
Edhe sivjet këtë festë po e kremtojmë me të arritura të rëndësishme të shtetit të pavarur dhe demokratik të Kosovës. Progresi i vendit tonë vlerësohet lart edhe nga miqtë tanë në të katër anët e globit. 62 vendet e botës që tashmë e kanë njohur Republikën e Kosovës, si dhe vendet të tjera që pritet të na njohin në vijim, janë të përkushtuara ta përkrahin pa kursim të ardhmen tonë euroatlantike. Ndaj, s’është e tepërt që edhe në këtë natë solemne të shprehim mirënjohjen tonë të thellë për të gjitha ato vende të botës që na përkrahën për ta arritur lirinë dhe pavarësinë dhe që po na përkrahin edhe sot për ta forcuar shtetin tonë demokratik, në të cilin të gjithë janë të barabartë përpara ligjit, pa marrë parasysh kombin apo besimin, pa marr parasysh pozitën hierarkike në shoqëri apo në institucione.

Republika e Kosovës këto ditë po kalon një sprovë të rëndësishme, zgjedhjet për pushtet lokal, të parat pas shpalljes së pavarësisë së vendit. Me kënaqësi mund të them se deri tani kemi parë një garë korrekte e dinamike, e cila ka reflektuar një kulturë të mirë demokratike të kandidatëve dhe të subjekteve konkurruese. Uroj që urtësia, toleranca dhe fryma e mirëkuptimit ta karakterizojë këtë proces deri në mbarim, sepse në këtë mënyrë ne do të jepnim para botës dhe para miqve tanë provimin e parë të madh të demokracisë. Duke përsëritur thirrjen për pjesëmarrje sa më të gjerë të të gjithë qytetarëve me të drejtë vote, nga të gjitha bashkësitë etnike që jetojnë në Kosovë, falënderoj edhe një herë të gjitha vendet që po na ndimojnë që ky proces zgjedhor të ecën mbarë.

Në fund, duke ju dëshiruar një darkë të mirë me bereqetet e sivjetshme të Kosovës, ju lus të ndiheni lirshëm si në shtëpinë tuaj!
 
Zoti e bekoftë e tokën e begatë të Kosovës dhe njerëzit e saj!
Zoti i bekoftë të gjithë miqtë tanë!