Presidenti Sejdiu shtroi darkë për drejtuesit e KFOR-it dhe të FSK-së 

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu shtroi sonte darkë për drejtuesit e KFOR-it dhe të FSK-së. Të pranishëm ishin ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, z. Fehmi Mujota, zv.ministri Behxhet Brajshori, komandanti i KFOR-it, gjenerali Giuseppe Emilio Gay, komandanti i FSK-së, gjenerallejnant Sylejman Selimi, si dhe drejtues të tjerë të lartë të KFOR-it dhe të FSK-së.

Duke e vlerësuar lart punën dhe angazhimin e komandantëve dhe ushtarëve të KFOR-it për paqen dhe sigurinë në Kosovë gjatë këtyre dhjetë vjetëve, Presidenti Sejdiu pohoi se të gjithë pjesëtarët e KFOR-it kanë dhënë kontributin e tyre të jashtëzakonshëm që në Kosovë të mbretërojë paqja, siguria dhe stabiliteti.
“Forca e Sigurisë e Kosovës po ndërtohet sipas kritereve më profesionale të NATO-s dhe ne besojmë se ajo shpejt do të jetë një faktor i rëndësishëm i stabilitetit në rajon dhe pse jo edhe partner i NATO-s në misionet paqeruajtëse në botë”, pohoi Presidenti Sejdiu.
Ndërsa, komandanti i KFOR-it, gjenerali Gay theksoi se maksimë e punës së KFOR-it ka qenë puna profesionale, krijimi i një mjedisi të qetë e të sigurt në Kosovë, por njëkohësisht edhe krijimi dhe forcimi i miqësisë me të gjithë në këtë vend, si me institucionet, ashtu edhe me qytetarët e të gjitha komuniteteve etnike që jetojnë këtu.