Presidenti Sejdiu shprehu mirënjohjen e popullit të Kosovës për punën e KFOR-it

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, i shoqëruar nga komandanti i KFOR-it, gjenerallejtënant Gjyzepe Emilio Gai, vizitoi sot Njësinë shumëkombëshe për veprim të KFOR-it Perëndim, e cila gjendet në Pejë, ku u njoftua për gjendjen e sigurisë në zonën e përgjegjësisë së kësaj njësie.

Me këtë rast, Presidenti Sejdiu falënderoi eprorët dhe ushtarët e KFOR-it, si dhe shprehu mirënjohjen e thellë të popullit të Kosovës për punën e jashtëzakonshme që kanë bërë ata gjatë këtyre nëntë vjetëve për ruajtjen e paqes dhe të sigurisë për të gjithë qytetarët e vendit tonë pa dallim etnie a religjioni.

Po ashtu, Presidenti Sejdiu dhe gjenerallejtënanti Gai vizituan edhe vendin e quajtur “Villaggio Italia”, afër Pejës. Edhe këtu, Presidenti Sejdiu i përgëzoi pjesëtarët e KFOR-it për përkushtimin e rrallë që kanë treguar si për kryerjen e detyrave të tyre të përditshme, ashtu edhe për ndihmën e madhe që u kanë dhënë dhe vazhdojnë t’u japin qytetarëve të Kosovës në të gjitha poret e jetës.