Presidenti Sejdiu priti znj. Majlinda Bregu, ministre e Integrimit e Shqipërisë

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu priti sot zonjën Majlinda Bregu, ministre e Integrimit e Shqipërisë, e cila po qëndron për një vizitë zyrtare në vendin tonë.

Në takim, në të cilin ishte edhe ministri i Integrimeve i Kosovës, Besim Beqaj, Presidenti Sejdiu theksoi se Kosova do të përfitojë nga përvojat e Republikës së Shqipërisë në rrugën e integrimeve.

Ai gjithashtu theksoi se angazhimi që Shqipëria ka bërë dhe po bën për Kosovën është shumë i rëndësishëm dhe ky angazhim do të jetë me vlerë të veçantë në procesin e mëtejmë të integrimeve.

Duke folur për pjesëmarrjen e Republikës së Kosovës në takimet rajonale, Presidenti theksoi se kjo pjesëmarrje do të jetë vetëm në nivel të shtetit të Kosovës.

Nga ana e saj, ministrja Majlinda Bregu theksoi se institucionet e Republikës së Shqipërisë dhe ato të Republikës së Kosovës do të zhvillojnë një bashkëpunim të ngushtë në të gjitha fushat.

Ajo gjithashtu e quajti një proces jetik procesin e liberalizimit të vizave, duke shfaqur shpresën se Shqipëria do të përfitojë shumë shpejt nga ky proces, ndërsa edhe Kosova do ta bëjë këtë në një të ardhme shumë të afërt.