Presidenti Sejdiu priti zëvendës shefin e UNMIK-ut, z. Steven Schook

Presidenti i Kosovës, Dr. Fatmir Sejdiu, takoi zëvendësshefin e UNMIK-ut, z. Steven Schook. Në takim u diskutua për punën e madhe që duhet bërë dhe sfidat e vitit 2007, si dhe për të arriturat në procesin e përcaktimit të statusit të Kosovës gjatë vitit që shkoi.

Z. Schook dhe Presidenti Sejdiu theksuan nevojën e bashkëpunimit të mëtejshëm në mes të institucioneve vendëse dhe UNMIK-ut, sidomos sa i përket procesit të tranzicionit. Sipas z. Schook, ky proces ka rëndësi të veçantë dhe duhet të punohet edhe më shumë në këtë aspekt. Ai tha se gjatë takimeve të tij me ministrat dhe përfaqësuesit e tjerë vendës po përpiqen të caktojnë prioritetet për punën që do të bëhet gjatë këtij viti. Presidenti e falenderoi z. Schook për angazhimin e thellë dhe të sinqertë gjatë vitit që shkoi dhe i premtoi atij bashkëpunim të mëtejmë.