Presidenti Sejdiu priti z. Mümtaz Soysal, ish-ministër i Punëve të Jashtme i Turqisë

Presidenti i Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu priti z. Mümtaz Soysal, ish-ministër i Punëve të Jashtme i Turqisë, i cili shoqërohej nga shefi i Zyrës Turke në Prishtinë, z. Volfgan Turk Vurall, dhe deputeti i Kuvendit të Kosovëz, z. Mahir Jagxhillar, kryetar i Partisë Demokratike Turke.

Presidenti Sejdiu e falënderoi ish-ministrin Soysal për ndihmën e pakursyer që ka dhënë dhe po jep Turqia për Kosovën. Ai theksoi se kontributi i shtetit turk për çështjen e Kosovës është i një rëndësie të veçantë, sidomos tani kur procesi i përcaktimit të statusit politik është në fazën përmbyllëse.

“Bisedimet e udhëhequra nga Presidenti Ahtisari, të cilat kanë zgjatur pothuajse pesëmbëdhjetë muaj, kanë qenë mjaft të rënda. Ne kemi dhënë vizionin tonë për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, duke ofruar garanci të fuqishme për komunitetet pakicë të Kosovës. Me përjashtim të pakicës serbe, e cila ende po intrumentalizohet nga Beogradi zyrtar, të gjitha pakicat e tjera janë të përkushtuara për të ardhmen e përbashkët në një shtet të pavarur të Kosovës dhe të integruar në strukturat euroatlantike”, tha Presidenti Sejdiu.

“Pavarësia e Kosovës është opsioni ynë i vetëm”, vijoi Presidenti Sejdiu, duke rikonfirmuar se Kosova do të jetë shtet i të gjithë qytetarëve të barabartë, pa dallim kombi e besimi.