Presidenti Sejdiu priti z. Miroslav Gërbiqin, u. d. i minsitrit për Kthim dhe Komunitete

Presidenti i Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, priti sot ushtruesin e detyrës së ministrit për Kthim dhe Komunitete, z. Miroslav Gërbiqin, me të cilin bisedoi për përpjekjet e përbashkëta të institucioneve të Kosovës për krijimin e kushteve sa më të mira për jetë dhe integrim në shoqërinë kosovare të të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim etnie.

Z. Gërbiq shprehu gatishmërinë e tij dhe të ministrisë që ai drejton për angazhim të mëtejmë në procesin e kthimit të serbëve të Kosovës në shtëpitë e tyre. Ai u zotua se do të bëjë ç’është e mundur, në mënyrë që në Kosovë të ndihen të gjithë të sigurt dhe të kenë perspektivë për një jetë më të mirë.

Presidenti Sejdiu tha se të gjithë qytetarët e Kosovës kanë nevojë për qetësi dhe stabilitet dhe se për këtë komuniteti serb mund të luajë një rol shumë të rëndësishëm.

“Ne si institucione do të vazhdojmë të punojmë me këmbëngulje për një Kosovë demokratike e të përparuar, në të cilën të gjithë qytetarët, pra edhe ata të bashkësisë etnike serbe, do të ndihen të lirë dhe të sigurt”, theksoi Presidenti Sejdiu.