Presidenti Sejdiu priti z. Marius Vizer, kryetar i Federatës Botërore të Xhudos

Presidenti i Republikës së Kosovës, z. Fatmir Sejdiu, priti sot kryetarin e Federatës Botërore të Xhudos, z. Marius Vizer, të cilin e falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme që po i jep ai Federatës së Xhudos së Kosovës dhe sportistëve të Kosovës në përgjithësi.

Në këtë takim, në të cilin morën pjesë edhe ministri i Rinisë, Kulturës dhe Sportit në Qeverinë e Kosovës, z. Valton Beqiri, kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, z. Besim Hasani, si dhe drejtuesit e xhudos kosovare, u diskutua për mundësitë e ndërkombëtarizimit të sportit kosovar dhe përfshirjes së tij në garat evropiane, botërore e olimpike.

Z. Vizer theksoi nevojën e investimeve në infrastrukturën sportive, jo vetëm në xhudo, por edhe në disiplinat e tjera sportive, meqenëse, siç tha ai, pa infrastrukturë të mirëfilltë sportive nuk mund të arrihen rezultatet e nevojshme për arenën ndërkombëtare. Ndërsa, Presidenti Sejdiu tha se investimi në infrastrukturën sportive  është sfidë, por edhe prioritet i institucioneve të Kosovës.