Presidenti Sejdiu priti z. Knut Vollebaek, komisar i Lartë për Pakicat Kombëtare i OSBE-së

“Qasja jonë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës dallon esencialisht nga ajo e Beogradit. Ne duam ta qeverisim vetveten dhe të integrohemi në bashkësinë e popujve të lirë, në Bashkimin Evropian dhe në NATO, kurse Serbia synon ta mbajë të kolonizuar Kosovën.

Ne themi se Kosova është vend i të gjithë qytetarëve të saj, kurse Beogradi e do Kosovën për shkak të pasurive të saj, por e do pa ne, pa shumicën shqiptare”, tha Presidenti i Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, gjatë takimit me z. Knut Vollebaek, komisar i Lartë për Pakicat Kombëtare i OSBE-së.

“Status quo-ja nuk e zgjidh asnjë çështje, prandaj është shumë me rëndësi që të përfundohet sa më parë kjo periudhë shtesë e bisedimeve”, tha Presidenti Sejdiu dhe shtoi: “Ne do të bashkëpunojmë me treshen e Grupit të Kontaktit, që ka një mandat ndërkombëtar, duke e dhënë vizionin tonë për relacionet e ardhshme në mes Kosovës dhe Serbisë, si dy shtete fqinje dhe të pavarura”. Ai sërish përsëriti parimet tashmë të njohura të Prishtinës zyrtare për pavarësinë e panegociueshme të Kosovës, për tërësinë e paprekshme territoriale të saj, si dhe për Pakon e Presidentit Ahtisari, si një dokument i kompromiseve të ndjeshme, por që i hap mundësitë e një të ardhmeje të përbashkët për të gjithë qytetarët e Kosovës.

“Ne e kemi pranuar Pakon e Presidentit Ahtisaari, miratimi i së cilës u bllokua në Këshillin e Sigurimit, dhe jemi zotuar se do ta implementojmë atë, me një kujdes të veçantë në respektimin e pakicave kombëtare, sidomos të asaj serbe, madje duke dhënë garanci që kalojnë përtej standardeve ndërkombëtare”, vazhdoi Presidenti i vendit, Fatmir Sejdiu. 


Ndërsa, z. Knut Vollebaek, pasi pohoi se kjo ishte vizita e tij e parë në Kosovë në ciliësinë e komisarit të OSBE-së për Pakicat Kombëtare, u angazhua për një pjesëmarrje sa më të gjerë të pakicave kombëtare në jetën institucionale në Kosovë, duke thënë se kjo do ta ndihmonte procesin e relaksimit të marrëdhënieve të ndërsjella etnike dhe do t’u hapte udhë intregrimeve të dëshiruara evropiane. Ai e përshëndeti gatishmërinë e palës shqiptare për pajtim, duke e mbështetur qëndrimin e Presidentit Sejdiu se Kosova nuk do të harrojë tragjeditë që ka përjetuar, por është e përcaktuar për ndërtimin e së ardhmes së përbashkët evropiane.