Presidenti Sejdiu priti udhëheqësit e doganave të Kosovës

Presidenti i Kosovës, Dr. Fatmir Sejdiu, takoi udhëheqësit e Shërbimit Doganor, në krye me drejtorin e këtij Shërbimi, z. Naim Huruglica.

Presidenti falënderoi drejtorin Huruglica dhe kater drejtorët e drejtorateve të doganave për punën e palodhshme të këtij ekipi në përpjekjet për zbatimin e ligjit dhe i cilësoi doganat si shtyllë të fuqishme të shtetit të ardhshëm të Kosovës.

Ai i njoftoi bashkëbiseduesit se dita e pavarësisë nuk është larg, prandaj duhet të bëhen të gjitha përgatitjen e nevojshme për një proces të suksesshëm të tranzicionit, i cili do të përfshijë edhe Shërbimin Doganor.

Duke dënuar fuqishëm aktin kriminel ndaj Zv.drejtorit të doganave, Ekrem Hajdarit, para pak ditësh, Presidenti Sejdiu i shprehu atij mbështetjen e pa rezervë duke shtuar se “aktet e tilla synojnë që ta pengojnë përkushtimin tonë të përbashkët për një shtet ku askush nuk është përmbi ligjin”, dhe kërkoi që kryesit e këtij akti të ulët të dalin para drejtësisë sa më parë.

Ndërkaq, z. Huruglica njoftoi Presidentin se buxheti i akumuluar nga doganat për vitin që shkoi është 90 milion euro më shumë se sa që është planifikuar, dhe vlerësoi se 2007-ta ishte një vit jashtëzakonisht i suksesshëm për Shërbimin doganor.

Ai gjithashtu e njoftoi Presidenti për të gjitha përgatitjet që po bëhen në mënyrë që doganat të jenë plotësisht të gatshëm për një tranzicion të shpejtë menjëherë pas aktit të shpalljes së pavarësisë.