Presidenti Sejdiu priti udhëheqësit dhe lojtaret e klubit të volejbollisteve të Universitetit AAB - Prishtina, kampione të Kosovës dhe fituese të Kupës së Kosovës në Volejboll

Presidenti Sejdiu, pasi që i uroi ato për sukseset e arritura, u angazhua për kushte më të mira për sportin në përgjithësi, në mënyrë që sporti kosovar të jetë konkurrent i denjë për të garuar në arenën ndërkombëtare.

“Me ritmin e mirë të njohjes së vendit tonë, si dhe njohjet e reja që presim të ndodhin shpejt, sporti kosovar do të ketë mundësi që të garojë jashtë vendi”, pohoi Presidenti Sejdiu.

Presidenti Sejdiu u interesua edhe për studimet që ndjekin vajzat e këtij klubi duke thënë se krahas sportit kujdes të veçantë duhet treguar edhe për studimet.

Drejtuesit e klubit e informuan Presidentin për punën që bëhet në këtë klub, si dhe për planet e tyre në të ardhmen. Me këtë rast, ata i dhuruan Presidentit Sejdiu, një pikturë, vepër e studentëve të AAB-së, dhe një fanelë të kësaj skuadre.