Presidenti Sejdiu priti senatorin francez Robert Badinter

Presidenti i Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, priti senatorin francez Robert Badinter, ish-ministër i Drejtsisë i Francës, i njohur si anëtar i Komisionit të Arbitrazhit i Konferencës së Paqes për ish-Jugosllavinë.

Senatori Badinter theksoi se tashmë është koha që Këshilli i Sigurimit të marrë vendimin për propozimin e Presidentit Ahtisari. Ai, po ashtu, u interesua për vizionin e institucioneve të Kosovës për trajtimin e çështjeve të veçanta, si edukimi, ekonomia, të drejtat e pakicave etj.

Presidenti Sejdiu theksoi se Kosova e pavarur do të jetë shtet i të gjithë qytetarëve të saj, ndërsa të drejtat e komuniteteve pakicë do të jenë të garantuara, madje me standardet më të larta.

“Shpresojmë se procesi i pavarësimit të Kosovës do të përmbyllet shpejt. Një shtet i pavarur dhe i njohur ndërkombëtarisht do të ketë mundësi më të mira për progres ekonomik dhe garantim të investimeve të jashtme”, tha Presidenti Sejdiu.