Presidenti Sejdiu priti Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, z. Marc Perrin de Brichambaut

“Vizion yni i përhershëm i popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës është integrimi sa më i shpejtë në institucionet ndërkombëtare, siç është edhe OSBE-ja”, tha Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu gjatë një takimi që pati sot me Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian, z. Marc Perrin de Brichambaut.

“Republika e Kosovës ka shënuar rezultate të shumta që nga shpallja e pavarësisë duke u shndërruar në një faktor të rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në rajon”, theksoi Presidenti Sejdiu, i cili, me këtë rast, falënderoi z. Brichambaut për ndihmesën e vazhdueshme që OSBE-ja ka dhënë dhe po jep për Kosovën.

Duke folur për zhvillimet dhe progresin e përgjithshëm në vend, Presidenti Sejdiu rikujtoi se Kosova tashmë është pranuar nga 64 vende anekënd botës dhe është anëtarësuar në institucione të rëndësishme ndërkombëtare, si Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.

“Këto ditë ne patëm zgjedhjet lokale, të cilat u organizuan për herë të parë nga institucionet sovrane të vendit, ndërsa qytetarët treguan sërish pjekuri të lartë politike”, vijoi Presidenti Sejdiu.

Po ashtu, ai tha se synim i përhershëm i Kosovës mbetet anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe në NATO, ndaj “përkushtimi ynë për arritjen e standardeve që kërkohen nga këto institucione është i plotë”.
Ndërsa, z. Brichambaut e siguroi Presidentin Sejdiu për përkushtimin e kësaj organizate që të përkrahë Kosovën edhe në të ardhmen, në të gjitha fushat e jetës.