Presidenti Sejdiu priti rektorin e Universitetit të Prishtinës, dr. Enver Hasanin

“Kosova është para vendimeve të rëndësishme për të ardhmen e saj dhe nevojiten edhe pak ditë, për disa konsulta përfundimtare me vendet mike, që e përkrahin pavarësinë e vendit tonë sipas planit të Ahtisarit, përpara se Parlamenti i Kosovës ta rideklarojë vullnetin politik të qytetarëve dhe të institucioneve tona për pavarësi”, tha Presidenti i Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, gjatë një takimi me rektorin e Universitetit të Prishtinës, dr. Enver Hasanin, dhe me bashkëpunëtorët e tij.

Duke e vlerësuar si shumë të veçantë rolin e UP-së në të gjitha proceset e mëhershme nëpër të cilat ka kaluar Kosova, po edhe në këto të tanishmet, Presidenti Sejdiu theksoi se Universiteti i Prishtinës ka peshën e vet të veçantë dhe roli i tij në arsimin e lartë në Kosovë është primar, krahas konkurrencës legjitime që tani ka nga universitetet e ndryshme private. Më tej, ai shprehu falënderimin e tij për rolin konstruktiv të drejtuesve të UP-së, si dhe për vendimin që të nderohen me titullin Doctor Honoris Cauza Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, Kryeministri Sali Berisha, dhe ish-Kryeministri i Britanisë së Madhe, z. Toni Bler.

Rektori Enver Hasani e uroi Presidentin Sejdiu për rizgjedhjen President i Kosovës dhe i shprehu atij gatishmërinë e plotë të Universitetit të Prishtinë për ta thelluar edhe më shumë bashkëpunimin në të mirë të arsimit dhe të interesave të përgjithshme të vendit.