Presidenti Sejdiu priti prijësit e Kishës katolike

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, pati sot një takim me Ipeshkvin e Ipeshkvisë së Shqipërisë, imzot Luçian Augustini, Ipeshkvin e Tivarit, imzot Zef Gashi, dhe ipeshkvin e Ipeshkvisë së Kosovës, imzot Dodë Gjergji, të cilët ia uruan Presidentit Sejdiu shpalljen e Pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe njohjen e saj nga shumë shtete të botës.

Duke i falënderuar për vizitën, Presidenti Sejdiu rikujtoi ndihmesën e madhe që ka dhënë Kisha katolike në Kosovë në të gjitha procet nëpër të cilat ka kaluar Kosova dhe kombi shqiptar përgjithësisht. Me këtë rast, ai shprehu mirënjohjen e institucioneve të Kosovës për rolin e veçantë të Ipeshkvisë së Kosovës, e cila, bashkë me institucionet e tjera fetare të vendit, ka ndikuar drejtpërdrejt në ruajtjen dhe kultivimin e telorancës së shkëlqyeshme dhe të bashkëjetesës së komuniteteve të besimeve të ndryshme në Kosovë.

Presidenti Sejdiu tha se shteti i pavarur i Kosovës do të jetë model i respektimit të të drejtave dhe lirive njerëzore e fetare për secilin qytetar, pa dallim etnie a besimi. Po ashtu, ai i siguroi mysafirët se institucionet e vendit do të vazhdojnë të mbështesin këtë frymë bashkëpunimi në mes bashkësive fetare në Kosovë, me qëllim që të gjithë qytetarëve dhe t’u sigurohet një e ardhme më e ndritur.