Presidenti Sejdiu priti Presidentin e zgjedhur të Rotary International, z. Wilfred Wilkinson

Presidenti i Kosovës, Dr. Fatmir Sejdiu, priti një grup përfaqësuesish nga Rotary International, në krye me Presidentin e zgjedhur Wilfred Wilkinson. Në këtë takim u diskutua për mënyrat më të mira të bashkëpunimit dhe fushat në të cilat Rotary mund të ndihmojë dhe mbështesë zhvillimin ekonomik në Kosovë.

Presidenti Sejdiu tha se mirëpret faktin që kjo organizatë e rëndësishme ka hapur dy qendra edhe në Kosovë, respektivisht në Prishtinë dhe në Pejë, duke shtuar se edhe këto dy qendra do të punojnë në frymë dhe përputhshmëri të plotë me parimet rotariane. “Ne po hyjmë në një etapë të re të zhvillimeve dhe me pavarësinë e Kosovës do të hapen rrugët për zhvillim të përshpejtuar ekonomik edhe për investime të jashtme.” Z. Wilkinson tha se Rotary International ka bashkëpunim të ngushtë me Rotary klubet në Kosovë dhe deri tani ka mbështetur këto klube dhe Kosovën në sferën e mjekësisë dhe arsimit. Në takim u theksua edhe nevoja e bashkëpunimit në fushën e agrikulturës dhe fushave të tjera që do ta ndihmojnë zhvillimin ekonomik të Kosovës.