Presidenti Sejdiu priti pjesëmarrësit e Seminarit XXIX Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu prit sot në takim pjesëmarrësit e Seminarit XXIX Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, që po mbahet në Prishtinë.

Presidenti Sejdiu çmoi lart me këtë rast rolin që ka pasur dhe vazhdon të ketë institucioni i Seminarit për afirmimin e studimeve albanologjike në botë.

Presidenti Sejdiu foli edhe për angazhimet e mëdha në vitet ‘90, kur në rrethana tepër të vështira u arrit që të ruhej vazhdimësia e punës së Seminarit, i cili tashmë është shndërruar në një institucion me rëndësi të veçantë për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare. Po kështu, Presidenti Sejdiu vlerësoi punën që po bëhet edhe sot nga organizatorët për ruajtjen e vazhdimësisë së këtij manifestimi të rëndësishëm kulturor, si dhe për begatimin e tij të mëtejmë.

Në kontekst të zhvillimeve dinamike të globalizmit, Presidenti Sejdiu shtroi nevojën që të punohet më shumë për ripërtëritjen dhe hapjen e katedrave të reja të studimeve albanologjike në botë.

Po ashtu, Presidenti Sejdiu u foli seminaristëve për zhvillimet dhe sfidat me të cilat po ballafaqohet vendi ynë.

“Vizioni themelor i qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës është integrimi sa më i shpejtë në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë, duke përfshirë edhe vetë OKB-në”, theksoi Presidenti Sejdiu.

Pas mendimit shumë të qartë të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, vijoi ai, janë hequr të gjitha dilemat që ndokush mund të ketë pasur sa i përket legjitimitetit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, prandaj ne u bëjmë thirrje të gjitha vendeve që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e vendit tonë që sa më parë ta bëjnë këtë.

Në përmbyllje të këtij takimi të përzemërt, Presidenti pati një bashkëbisedim me seminaristët, të cilët dhanë pikëpamjet e tyre për studimet albanologjike dhe për Kosovën.