Presidenti Sejdiu priti përfaqësuesit e Koalicionit të Shoqatave të Personave me Aftësi të Kufizuara

Me rastin e 3 Dhjetorit – Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, priti sot përfaqësuesit e Koalicionit të Shoqatave të Personave me Aftësi të Kufizuara, me të cilët bisedoi për veprimtarinë, objektivat dhe brengat e përbashkëta të anëtarësisë së gjerë të këtij koalicioni.

Në takimin me Presidentin Sejdiu ishin të pranishëm: znj. Mizafare Kastrati, Handicap Kosova, z. Afrim Maliqi, Handikos, Mexhid Foniqi, Shoqata e të Verbërve dhe Personave me Shikim të Dobësuar, z. Enver Kurtelani, Shoqata e të Shurdhërve, znj. Mjellma Lumi, KMDRI, dhe z. Qëndrim Jashari, Shoqata “Ne për Ne”.

Drejtuesit e organizatave joqeveritare për personat me aftësi të kufizuara, duke paraqitur gjendjen e përgjithshme të personave me aftësi të kufizuara në Republikën e Kosovës, thanë se institucionet e vendit duhet të insistojnë edhe më tepër për ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për nevojat dhe brengat e personave me aftësi të kufizuara. Përveç përkujdesit institucional, ata pohuan se u nevojitet edhe ndihma e shoqërisë, në mënyrë që pjesëtarët e kësaj kategorie të kenë mundësinë që t’i kontribuojnë zhvillimit të vendit dhe të integrohen më shumë në jetën shoqërore.

Ndërkaq, Presidenti Sejdiu theksoi se ka nevojë që të bëhet një hulumtim më i madh logjistik, në mënyrë që të identifikohet numri i saktë i personave me aftësi të kufizuara dhe të krijohet mundësia për t’u ndihmuar atyre.

“Institucionet e Republikës së Kosovës si një ndër përkushtimet kryesore kanë zbatimin e politikave kundërdiskriminuese, nëpërmjet të cilave synohet të krijohen mundësi dhe të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët e vendit, pa marrë parasysh etninë, racën, besimin, moshën, gjininë etj.”, -tha Presidenti Sejdiu.

Në këtë takim u vlerësua i rëndësishëm Hartimi i Planit Kombëtar të Veprimit për Personat me Aftësi të Kufizuara, për vitet 2009-2011, si një hap konkret për plotësimin e këtij përkushtimi dhe për krijimin e kushteve më të mira të jetesës për të gjithë personat me aftësi të kufizuara në vend. Po ashtu, përfaqësuesit e këtij koalicioni shtruan nevojën që Republika e Kosovës ta shqyrtojë mundësinë e ratifikimit të Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara.