Presidenti Sejdiu priti një grup përfaqësuesish nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci

Presidenti i Republikës së Kosovës, Dr. Fatmir Sejdiu, priti sot një grup përfaqësuesish nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci të kryesuar nga kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, z. Riza Halimi dhe kryetari i Komunës së Bujanocit z. Nagip Arifi

Përfaqësuesit e tri qyteteve Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës në vizitën që i bënë sot Presidentit të Republikës së Kosovës Dr. Fatmir Sejdiu, uruan atë për pavarësinë e shtetit duke e cilësuar atë ngjarje historike për gjithë popullin shqiptar. 

Presidenti Sejdiu duke i falënderuar për urimet theksoi përkushtimin e institucioneve të Kosovës në respektimin e të drejtave të të gjitha komuniteteve në Kosovë me qëllim kryesor hapjen e perspektivave të reja për ata që natyrisht do t’i kontribuonte zhvillimit të përgjithshëm të shoqërisë kosovare si parakusht themelor për integrime të mëtejme.
Gjithashtu, Presidenti Sejdiu, mbështeti përfaqësuesit e këtyre komunave për qasjen e tyre të njëllojtë në angazhimin e qytetarëve të kësaj ane në proceset themelore demokratike, me qëllim realizimin e të drejtave të tyre.