Presidenti Sejdiu priti një delegacion diplomatësh kinezë

“Është kënaqësi që Kina ka vendosur të hapë zyrën e saj në Prishtinë”, tha Presidenti i Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, gjatë një takimi me një delegacion diplomatësh kinez, të cilit i prinin ambasadori kinez në Beograd z. Li Guobang, dhe shefi i Zyrës së porsahapur të Kinës në Prishtinë, z. Wang Wengang.

“Gjendemi në fazën më të ndjeshme të përcaktimit të statusit të Kosovës. Natyrisht, dëshirojmë që ky proces të përmbyllet me sukses dhe që presidenti Ahtisari të dalë menjëherë pas zgjedhjeve në Serbi me propozimin e tij”, theksoi Presidenti Sejdiu duke shpalosur para mysafirëve nga Kina vizionin e institucioneve dhe të popullit të Kosovës për pavarësinë e vendit.

Duke e përgëzuar delegacionin kinez për hapjen e Zyrës Kineze në Prishtinë, Presidenti Sejdiu shprehu bindjen se Kina, si edhe deri më tani, sa i përket çështjes së Kosovës, do të vazhdojë të luajë rol konstruktiv në Këshillin e Sigurimit dhe në institucionet e tjera ndërkombëtare.

Ndërkaq, ambasadori Li Guobang ripohoi angazhimin e Kinës për një zgjidhje paqësore dhe të qëndrueshme të çështjes së Kosovës, e cila do t’i sillte paqe dhe prosperitet gjithë rajonit.