Presidenti Sejdiu priti në takim shefin e Zyrës së Kinës në Prishtinë

Presidenti i Republikës së Kosovës, Dr. Fatmir Sejdiu, priti sot në një takim z. Wang Wengang, shef i Zyrës së Republikës Popullore të Kinës në Prishtinë.

Presidenti Sejdiu shprehu konsideratat e tij për qëndrimin që ka mbajtur Kina në debatet e oganizuara në Këshillin e Sigurimit dhe në takimet që ka pasur Presidenti me përfaqësuesin e përhershëm të Republikës Popullore të Kinës në OKB gjatë procesit për definimin e statusit politik të Kosovës.

Me këtë rast Presidenti Sejdiu theksoi se Kosova e pavarur, përkatësisht Republika e Kosovës, paraqet rast sui generis, ashtu siç e ka  trajtuar Presidenti Ahtisari në propozimin e tij gjithëpërfshirës, dhe nuk mund të jetë shembull precedenti për të tjerët.

Me këtë rast, Presidenti Sejdiu i dorëzoi diplomatit kinez Wengang kërkesën zytare të Presidentit dhe të kryeministrit të Kosovës për njohjen e Republikës së Kosovës nga ana e Republikës Popullore të Kinës, duke shprehur interesin e veçantë për thellimin e marrëdhënive midis dy vendeve tona.