Presidenti Sejdiu priti në takim lamtumirës ambasadorin e Hungarisë, z. Zoltan Imecs

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu priti sot në takim lamtumirës ambasadorin e Republikës së Hungarisë në Prishtinë, z. Zoltan Imecs, të cilin e falënderoi për përkrahjen e fuqishme që Hungaria i ka dhënë dhe po i jep vendit tonë.

Duke e vlerësuar lart punën e ambasadorit Imecs, Presidenti Sejdiu tha se ai ka bashkëpunuar ngushtë me institucionet e Kosovës në procese shumë të rëndësishme si para, ashtu edhe pas shpalljes së pavarësisë së vendit tonë.

Edhe në këtë takim, Presidenti Sejdiu ritheksoi përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për bashkëpunim të gjithanshëm me Republikën e Hungarisë, nga e cila, me besim të plotë, pret mbështetje të mëtejshme në procesin e sigurimit të njohjeve të reja dhe të integrimit sa më të shpejt të vendit tonë në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë.

Ndërsa, ambasadori Imecs tha se Hungaria do ta mbështesë zhvillimin e Republikës së Kosovës në të gjitha aspektet, sepse Kosova e ka vendin e saj në familjen e përbashkët evropiane. Po ashtu, ai vlerësoi mendimin pozitiv të GJND-së për legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, duke theksuar se tashmë janë krijuar të gjitha rrethanat që Kosova të njihet edhe nga vendet e tjera, të cilat nuk e kanë bërë ende këtë.