Presidenti Sejdiu priti Myftiun Naim Ternava

Presidenti i Kosoves, dr. Fatmir Sejdiu priti Myftiun e Kosovës, z. Naim Tërnava, i cili njoftoi Presidentin për vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për takimet e tij në nivel të Departamentit të Shtetit Amerikan si dhe me komunitetin shqiptaro-amerikan dhe me shoqatat e ndryshme të atjeshme.

Presidenti Sejdiu e falënderoi Myftiun Ternava për njoftimet dhe për angazhimin e tij të palodhshëm në të mirë të dialogut dhe tolerancës në Kosovë.

“Jemi në fazën më vendimtare për Kosovën, prandaj është obligim i të gjithëvë që të japin kontributin e tyre për qetësi, stabilitet dhe tolerancë”, tha Presidenti Sejdiu.

Myftiu Ternava theksoi se Bashkësia Islame e Kosovës është e angazhuar për koekzistencë paqësore dhe dialog ndërfetar, si një nga mënyrat për uljen e tensioneve dhe kthimin e besimit të ndërsjellë te qytetarët e Kosovës të entive dhe besimeve të ndryshme. Ai shtoi se Bashkësia Islame asnjëherë nuk ka hezituar që të përkrahë çfarëdo iniciative, e cila ka qenë në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës.