Presidenti Sejdiu priti kryetarin e Komunës së Ulqinit, z. Gëzim Hajdinaga

Presidenti i Repuiblikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu takoi sot kryetarin e Komunës së Ulqinit, z. Gëzim Hajdinaga, me të cilin bisedoi për rrjedhat e procesit pas pavarësimit të Kosovës në të gjitha sferat e zhvillimit të saj.

Duke iu referuar pavarësisë së Kosovës si çelës themelor për hapjen e perspektivës së mëtejme, Presidenti Sejdiu theksoi përkushtimin e institucioneve të vendit për vazhdimin e një qasjeje edhe më të avancuar për jetësimin e vlerave dhe parimeve që janë përfshirë në Kushtetutën e Kosovës.

Sipas tij, në fokus të veçantë do të vazhdojë të jetë qasja integruese ndaj komuniteteve pakicë për të dëshmuar Kosovën si shtet të barabartë për gjithë qytetarët e saj.

Kryetari i Komunës së Ulqinit z. Gëzim Hajdinaga, në emër të Komunës dhe qytetarëve të Ulqinit i uroi Presidentit të Kosovës pavarësimin e vendit.