Presidenti Sejdiu priti Komandantin e ri të KFOR-it, Erhard Buhler

“Gjatë këtyre njëmbëdhjetë vjetëve, KFOR-i ka bërë një punë të madhe në Kosovë. Pjesëtarët e KFOR-it kanë qenë përherë shembull i shërbimit profesional dhe i disiplinës, ndaj ata kanë gëzuar gjithë respektin e qytetarëve dhe të institucioneve të Kosovës”, tha Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu gjatë një takimi që pati sot me Komandantin e ri të KFOR-it, Gjeneralmajor Erhard Buhler.

“Institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës kanë vetëm një vizion – anëtarësimin sa më të shpejtë në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë, duke përfshirë edhe OKB-në”, pohoi Presidenti Sejdiu.

Sa i përket çështjes së reduktimit të trupave të KFOR-it, Presidenti Sejdiu ripërsëriti se ky proces duhet të bëhet në pajtim me situatën e përgjithshme të sigurisë në vend, si dhe me ngritjen e kapaciteteve të sigurisë së Kosovës.

Edhe në këtë takim, Presidenti Sejdiu kërkoi që pjesëtarëve të FSK-së, qoftë edhe në mënyrë simbolike, t’u mundësohet pjesëmarrja në misionet paqeruajtëse dhe humanitare të NATO-s kudo në botë, sepse Kosova është e gatshme të marrë përgjegjësitë e saj, si çdo shtet tjetër sovran, për paqen dhe prosperitetin e të gjithë popujve.

Ndërsa, Komandanti i KFOR-it, Gjeneralmajor Buhler, duke e falënderuar Presidentin Sejdiu për pritjen, theksoi se për të ishte një privilegj i veçantë që do të udhëhiqte një mision si KFOR-i.

“KFOR-i do të vazhdojë të punojë me përkushtim të plotë për të siguruar një mjedis të qetë dhe stabil për të gjithë qytetarët e Kosovës”, theksoi Komandanti Buhler.