Presidenti Sejdiu priti Kolonel Sheremet Ahmetin me bashkëpunëtor

Presidenti i Kosovës, Dr. Fatmir Sejdiu, priti Kolonel Sheremet Ahmetin dhe udhëheqës të tjerë të lartë të Shërbimit Policor të Kosovës.

Kolonel Ahmeti i uroi Presidentit Sejdiu rizgjedhjen në postin e të parit të vendit, dhe i dëshiroi atij punë të mbarë në detyrat e rëndësishme që janë përpara institucioneve të vendit.

Ai siguroi Presidentin se Shërbimi Policor i Kosovës do të bëjë çdo gjë për zbatimin e ligjit dhe për rend e siguri dhe i gjithë angazhimi i SHPK-së në këtë drejtim nuk do të mungojë.

“SHPK me krenari po ju shërben qytetarëve dhe do të vazhdojë të jetë çdoherë në nivel të detyrës dhe të punojë për sigurinë e të gjithë qytetarëve, pa dallime”, tha Kolonel Ahmeti.

Presidenti,  tha se ne duhet të dëshmohemi si shtet i qëndrueshëm, dhe fusha e sundimit të ligjit dhe sigurisë janë dy shtylla të rëndësishme të këtij dëshmimi.

Ai shtoi se prezenca e re ndërkombëtare do të ndihmojë në ndërtimin e potencialeve dhe zhvillimin e mëtejshëm të SHPK-së.

“Do të keni mbështetjen time të vazhdueshme. Motoja qe keni përcjellë dhe do ta përcillni edhe në të ardhmen është se Kosova është shtet i ligjit dhe do të jetë shembull i mirë si faktor i stabilitetit dhe sigurisë për të gjithë qytetarët e saj”, tha në fund  Presidenti Sejdiu.