Presidenti Sejdiu priti drejtuesit e shoqatës “Danke Schweiz”

“Zvicra ka qenë dhe mbetet shtëpia e dytë për një numër të madh të bashkatdhetarëve tanë. Ajo e ka ndihmuar Kosovën edhe më parë, ashtu si po e ndihmon edhe tani, duke e mbështetur vizionin tonë të pavarësisë”, tha Presidenti i Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, gjatë takimit me drejtuesit e shoqatës zvicerane-shqiptare “Danke Schweiz”, z. Rolf Debrunner, znj. Elisabet Towlson, z. Edwin Ruegg, z. Felix Jung dhe z. Akenbut Iballi.

Në këtë takim, mysafirët i paraqitën Presidentit Sejdiu idenë e vënies në qytetet kryesore të Zvicrës së një pllake falënderimi për gjithë ndihmën që ka dhënë ky vend për shqiptarët, e sidomos për shqiptarët e Kosovës. Gjithashtu, drejtuesit e kësaj shoqate shprehën gatishmërinë e tyre për t’i përkrahur shkëmbimet e dyanshme kulturore, duke prezantuar ide konkrete për “Javën e kulturës zvicerane në Kosovë”, përkatësisht për “Javën e kulturës shqiptare në Zvicër”.

Duke i falënderuar për këto nisma, Presidenti Sejdiu tha se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë t’i mbështesin veprimtaritë e tilla, të cilat i shërbejnë afrimit dhe njohjes së mëtejme në mes dy vendeve.